Një grup prej rreth 40 studentësh nga Tirana, të cilët ishin nisur drejt Shkupit për t’iu bashkuar protestës në mbrojtje të gjuhës shqipe, pretendojnë se janë përballur me presion dhe trajtim shqetësues nga autoritetet maqedonase gjatë udhëtimit të tyre.
Sipas dëshmive të studentëve, incidenti nisi që në pikën kufitare të Bllatës, ku ata u ndaluan për kontrolle të detajuara dhe verifikime individuale që zgjatën për një kohë të gjatë.
Të rinjtë shprehen se situata u bë edhe më e pazakontë më pas, pasi autobusi me të cilin udhëtonin u orientua në lëvizje të vazhdueshme nga Dibra drejt Kumanovës, ndonëse destinacioni i tyre final ishte Shkupi.
Studentët pretendojnë se për orë të tëra janë mbajtur në pasiguri, pa shpjegime të qarta nga autoritetet, duke e konsideruar këtë një përpjekje për t’i penguar të merrnin pjesë në protestën e organizuar për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, protesta në Shkup ka mbledhur qindra studentë dhe qytetarë shqiptarë, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e ligjit për përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore dhe në proceset arsimore.



