
Nga fillimi i përhapjes së pandemisë, OBSH ka qenë në pararojë të luftës kundër koronavirusit. Organizata ka informuar rregullisht 194 shtetet anëtare për zhvillimin e virusit, duke dhënë këshilla teknike të vazhdueshme. Mirëpo, sot, nuk ka para për të mbuluar këtë punë të jashtëzakonshme.
Në kërkim të financave
OBSH ka punuar shumë për të koordinuar një përgjigje globale në tre nivele: ofrimin e këshillave teknike, forcimin e solidaritetit politik dhe gjetjen e burimeve financiare. Pas apelit të OBSH për t’iu përgjigjur luftës ndaj Covid-19, janë mbledhur deri tani rreth 800 milionë dollarë, ndërsa mungojnë edhe 900 milionë të tjera.
OBSH, deklaroi se organizata regjistroi një rekord të ri të infektuarisht me Covid-19, ndërsa 5 milionë persona u prekën në të gjithë botën. Të paktën 106 mijë raste u raportuan nga OBSH të martën, duke regjistruar numrin më të madh të të infektuarve brenda 24 orëve që nga fillimi i pandemisë. Shifrat e reja vijnë pasi shtetet në të gjithë botën kanë rritur ndjeshëm numrin e testimeve.
“Ne kemi ende një rrugë të gjatë për t’a luftuar këtë pandemi dhe jemi shumë të shqetësuar për numrin gjithmonë në rritje të të infektuarve në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
SHBA kundër OBSH-së
Presidenti Donald Trump të martën publikoi një letër që ia kishte dërguar kreut të OBSH-së ku i bënte me dije se nëse organizata nuk do të angazhohet për përmirësimin e situatës brenda 30 ditëve, SHBA do të tërhiqte fondet e destinuara për OBSH-në dhe do të rishikonte anëtarësimin e SHBA-së në organizatë.
SHBA është vendi që kontribuon më shumë në buxhetin e OBSH-së dhe aktualisht fondet amerikane të destinuara për oganizatën janë pezulluar me arsyetimin e menaxhimit të dobët të pandemisë dhe mbulimit të informacionit në lidhje me virusin Covid-19. Trump kohët e fundit deklaroi se Hydroksilklorina, një ilaç kundër malarjes është i përshtatshëm për të luftuar koronavirusin.



