
Pesë fëmijë morën ditën e sotme statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, pasi prindërit e tyre humbën jetën në krye të detyrës.
Me marrjen e këtij statusi, fëmija përfiton 100 % të pagës më të lartë të prindit deri në moshën 18- vjeçare dhe nëse vazhdon studimet e larta, mbështetja vijon deri në moshën 25 vjeçare.
Kryeministri Edi Rama priti sot në zyrën e tij, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu fëmijët e tre policëve të rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit, Roland Likajt dhe Artan Cukut të shoqëruar nga familjarë dhe të afërm të tyre, të cilëve iu dorëzoi Satusin e posaçëm.
Kryeministri deklaroi se mbështetja për fëmijët që kanë humbur prindërit të krye të detyrës do të vijojë të mbetet një nga prioritetet e qeverisë, sidomos në fushën e arsimit, ku ata do të gjejnë përkrahje maksimale.
Ne në fakt e kemi pasur goxha merak këtë punë edhe herë pas here kemi diskutuar që s’mund të jetë kjo histori me një ndihmë modeste, si ajo që ishte sepse praktikisht janë fëmijë që humbasin një prind, i cili është në punë, i cili ka një pagë që e sjell në shtëpi.
Kështu që menduam ta bëjmë plus pagë domethënë jo thjesht sa paga, por plus në mënyrë që të paktën nga pikëpamja ekonomike të mos kenë asnjë shqetësim për fëmijët dhe asnjë mungesë.
Ndërsa përsa i përket pjesës së arsimit pastaj, ato janë ekstra. Kështu që, është mbase pak e vonuar, por jo të gjitha gjërat i kemi ditur dhe i dimë, mësojmë rrugës dhe kuptojmë rrugës si mund t’i bëjmë më mirë.
Edhe në këtë pikë dhe me këtë status të them të drejtën ndihemi vërtetë të kënaqur sepse plotësohen në mënyrë shumë kuptimplotë të themi nevojat financiare.
Pastaj dihet që edhe sikur të jetë pesëfish, boshllëkun shpirtëror nuk e mbush dot.
Por besoj që këta kanë edhe vetëdijen që duhet t’i nderojnë deri në fund baballarët edhe siç janë krenarë për baballarët t’i bëjnë dhe ata të buzëqeshin kur i shohin nga lart.
Më pas, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ju dorëzuan statusin fëmijëve:
-Dajlan dhe Denada Dobrushi, dy fëmijët e Shkëlzen Dobrushit, i cili është shpallur Dëshmor i Atdheut, marrin Statusin “Fëmijë në Përkujdesje”, duke përfituar 70 % të pagës më të lartë të prindit dhe e përfitojnë deri në moshën 18-vjeçare dhe nëse vazhdojnë studimet e larta e përfitojnë deri në moshën 25 vjeçare.
-Arbion dhe Amelia Cuku, dy fëmijët e Artan Cukut, i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, që humbi jetën në krye të detyrës, përfitojnë Statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, duke përfituar 70 % të pagës më të lartë të babait deri në moshën 18- vjeçare dhe nëse vazhdojnë studimet e larta e përfitojnë atë deri në moshën 25 vjeçare.
-Sonja Likaj, fëmija i Roland Likaj që ka humbur jetën në krye të detyrës, përfiton statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”.



