
Suedia, vendi i vetëm që vendosi t'mos imponojë bllokimin për qytetarët gjatë krizës së epidemisë, ka shënuar ditët e fundit një numër të lartë të viktimave si pasojë e virusit Covid-19.
Mësohet se shteti skandinav ka regjistruar mbi 3 mijë viktima dhe mbi 24 mijë persona të infektuar nga Covid-19. Nëse këto shifra krahasohen me vendet më të prekura si Italia, Spanja apo Anglia, nuk tregojnë ndonjë krizë të madhe. E kundërta është, nëse ato shifra, krahasohen me vendet e tjera skandinave.
Kjo praktikë e ndjekur nga Suedia, pavarësisht thirrjes së OBSH-së për vendet e tjera që t’a ndiqnin një vendim të tillë, me siguri nuk dha rezultatet e duhura.
Numri më i lartë i vdekjeve nga koronavirusi është shënuar në shtëpitë e të moshuarve. “Ky është një numër shumë i madh dhe është befasues për të gjithë”, tha Anders Tegnell, epidemiologu që këshilloi qeverinë suedeze për t’mos imponuar bllokimin dhe veçimin shoqëror, si dhe as mbylljen e shkollave, zyrave e dyqaneve.
“Ne menduam se shtëpitë e të moshuarve në vendin tonë ishin në gjendje për të shmangur infeksionet”, shtoi Tegnell, në lidhje me faktin se një nga kufizimet në Suedi ka të bëjë me ndalimin e vizitave për familjarët e të moshuarve në azile.
Vlen të kujtojmë këtu se Suedia ka numrin më të vogël deri tani të pacientëve që i janë nënshtruar terapisë intensive në spitale në të gjithë Europën.
Suedia për shkak të praktikimit të një linje më të butë të masave të koronavirusit, ka shënuar 291 viktima për një milion banorë, ndërsa Norvegjia ka shënuar 40 viktima, Danimarka 87 dhe Finlanda 45.
Edhe numri i përgjithshëm i personave të infektuar nga koronavirusi është më i madh në Suedi se në vendet e tjera të gadishullit, madje krahasur me numrin e ulët të testeve, shifrat reale të të infektuarve mund të jenë shumë më serioze nga sa janë paraqitur deri tani.



