
Në datën 7 maj të këtij viti, në adresën e Tema Tv u dorëzua një ankesë në të cilën një grup arsimtarësh (kështu thuhet në tekst) denoncojnë mënyrën e emërimit në krye të njërës prej shkollave në Tiranë të drejtorit dhe një prej mësuesve.
"Emërimi i z. Elton Kalemi si drejtor në shkollën e mesme profesionale “Karl Gega” në Tiranë është bërë jashtë kritereve, pasi zotëria në fjalë ka mbaruar shkollën në Rumani për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe nuk ka punuar asnjë ditë në arsim.
Ka emëruar si zv.drejtore pa miratimin nga Ministria e Financave, nga ne varemi, një zonjë që edhe kjo nuk ka asnjë formim dhe lidhje me arsimin profesional të kësaj shkolle. Ajo quhet Majlinda Shehu, ka mbaruar Gjeologji-Miniera dhe nuk ka punuar asnjë ditë, as në prodhim, as në arsim. Kjo zonjë jep mësim në praktikë profesionale në degën Shërbim Mjete Transporti", thuhet ndër të tjera në letër.
Denoncuesit e këtij fakti, që kanë preferuar të qëndrojnë anonimë, referojnë udhëzimet e Ministrisë së Arsimit për shkollat profesionale, që sipas tyre sanksionojnë kriteret për emërimin e drejtorit të shkollës, mes të cilave është edhe përvoja në mësimdhënie.
Sipas tyre, z. Kalemi nuk i përmbush këto kritere.
Për të sqaruar situatën, Tema TV kërkoi një përgjigje zyrtare nga Ministria e Financave, e cila në përgjigjen e saj pranon se emërimet në fjalë nuk janë në përputhje me kriteret e kërkuara. Por Ministria mbrohet me argumentin se të dyja emërimet janë të përkohshme.
"1. Z. Elton Kalemi është emëruar drejtor i shkollës së mesme të ndërtimit “Karl Gega” me urdhrin Nr. 244, datë 09.112016 “Për emërim të përkohshëm”. Ky emërim është në fuqi deri në kryerjen e procedurave ligjore për këtë pozicion pune.
Znj. Majlinda Shehu nuk është emëruar zv.drejtore në këtë shkollë, por mësuese e praktikave profesionale (instruktore). Bashkëlidhur emailit gjeni edhe kopjet përkatëse të shkresave të emërimit për z.Kalemi dhe znj. Shehu.
2. Nga ana e drejtorisë përkatëse në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë vazhdimisht kërkohet që mësuesit që janë jashtë profilit të mund të zëvendësohen me personat e duhur dhe të kualifikuar në drejtimet që ata do të japin mësim. Ky është një proces që ka filluar dhe po vijon. Nëse ju u referoheni rasteve konkrete, ju lutem na informoni pasi procesi i mësipërm nuk është një proces që zgjidhet menjëherë, sepse ka vështirësitë e tij”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Në fakt, z. Kalemi ka më shumë se një vit e gjysmë në detyrë dhe zëvendësimi i tij nuk ka ndodhur ende. Përtej aspektit ligjor që ha diskutim, fakt është se ministria pranon një anomali, e cila denoncohet e tillë edhe pranë Tema Tv, e që po sipas denoncuesve ka sjellë pasojën e rënies së cilësisë së mësimdhënies dhe mbarëvajtjes së punës në shkollën në fjalë.



