
Virusi kinez i vitit 2019, koronavirusi, erdhi te njerëzit nga gjarpërinjtë.
Këta të fundit janë kafshët në të cilat virusi, i transmetuar nga lakuriqët, është rikombinuar dhe më pas ka kaluar te njerëzit. Kjo tregohet nga analiza gjenetike e botuar në “Journal of Medical Virology” nga Wei Ji, Wei Wang, Xiaofang Zhao, Junjie Zai, dhe Xingguang Li, nga universitetet e Pekinit dhe Guangxi. Hulumtimi u krye në mostrat e virusit nga vende të ndryshme në Kinë.
Siç ka ndodhur në të kaluarën me viruset e gripit të shpendëve dhe Sars, edhe këtë herë dyshimet janë përqendruar te tregjet e kafshëve të gjalla, shumë të zakonshme në Kinë, ku kafshët e egra shiten krahas kafshëve të rritura në ferma, si gjarpërinjtë dhe lakuriqët. "Rezultatet e analizës sonë evolucionare sugjerojnë për herë të parë që gjarpri është “rezervuari” më i mundshëm te kafshët e egra për virusin 2019-nCoV", shkruajnë studiuesit. Analizat gjenetike në këtë mënyrë shtojnë një pjesë themelore në mozaikun e përbërjes gjenetike të virusit 2019-nCoV, në të cilin deri më tani vetëm sekuenca e pjesës së virusit së trashëguar nga lakuriqët është identifikuar se i përket familjes koronavirus, e njëjta familje që përfshin virusin Sars, i cili u shfaq në 2002, dhe virusin Mers të vitit 2015; misteri se nga erdhi gjysma tjetër e virusit mbetet për t’u zgjidhur.
Tani është e qartë se virusi 2019-nCoV është një përzierje e një koronavirusi nga lakuriqët dhe ai që arrin nga gjarpërinjtë dhe se do të kalonte te njerëzit, duke iu përshtatur pritësit të ri dhe duke fituar aftësinë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu . Duke u rikombinuar gjenetikisht te gjarpërinjtë, pra, virusi i ri bëri që të ashtuquajturën kalim nga specia në specie, duke përvetësuar receptorë të rinj që e lejojnë atë të lidhet me qelizat e sistemit të frymëmarrjes njerëzore.
"Informacioni i ri i marrë nga analiza jonë evolucionare - vërejnë studiuesit - është shumë i rëndësishëm për kontrollin e epidemisë së shkaktuar nga pneumonia e nxitur nga virusi 2019-nCoV".



