Papunësia në Gjermani deri në fund të vitit mund të arrijë në rreth 3 milionë deri në fund të vitit.
Lajmi është publikuar duke iu referuar një raporti të fundit të Institutit për Hulumtimin e Tregut të Punës IAB, ku theksohet se deri tani rreth 520 mijë njerëz kanë mbetur të pa punë në Gjermani.
Raporti tregon se ekonomia e Gjermanisë pritet të bie me 8.4% në vitin 2020, si rezultat i pandemisë.
“Ky do të jetë recesioni më i keq që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Instituti.
Kujtojmë se para disa ditësh, në 23 prill, kancelarja Angela Merkel, paralajmëroi se Gjermania ndodhet ende në fillim të krizës së koronavirusit.
Nga një fjalim në Bundestag, Merkel u tha ligjvënësve: “Ne do të jetojmë me këtë virus për një kohë të gjatë. Nuk mund të kthehemi në jetën e përditshme si përpara virusit, por le të qëndrojmë të kujdesshëm gjatë pandemisë.”
Me sa duket, situata e vështirë është ende në fillime.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që ekonomia globale të goditet thellësisht dhe thuajse të gjitha shtetet e prekura përballen me kërkesa të shtuara për pagesa papunësie dhe ndihma të tjera nga paketat sociale dhe ekonomike.
Gjermania padyshim është një prej këtyre vendeve edhe pse krahasuar me shtetet e tjera, kriza shëndetsore deri tani ia ka dalë të kontrollohet me sukses.



