Viti i ri akademik ka nisur me protesta para Ministrisë së Arsimit. Lëvizja për Universitetin ka organizuar një protestë, pjesëmarrësit e të cilës paralajmëruan se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Studentët thonë se Pakti për Universitetin nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre. Ata thonë se kërkesa kryesore mbetet anulimi i ligjit të arsimit të lartë, dyfishimi i buxhetit për universitetet dhe heqja e tarifës për masterin.
Studentët thonë se nuk është dhënë zgjidhje problemeve madhore me të cilat ata përballen përditë, por u është ofruar Karta e Studentit, e cila mbulon nevoja dytësore.
“Karta e Studentit është vetëm për muze dhe nuk ofron asnjë ndihmë qirasë, ushqimeve, rrobave, librave dhe transportit ndërqytetas. Buxheti për arsimin është ulur, abuzimet e pedagogëve të korruptuar vazhdojnë si më parë”, thotë një nga studentet.



