Gjorica kundër paneleve, banorët: Po na fusin në vllavrasje! Nuk do të lejojmë punimet pa folur drejtësia (VIDEO)

Gjorica kundër paneleve, banorët: Po na fusin në vllavrasje! Nuk do të lejojmë punimet pa folur drejtësia (VIDEO)

Banorët e Gjoricës së Poshtme në Bulqizë kanë bllokuar punimet për ndërtimin e një parku fotovoltaik në një sipërfaqe prej 42,5 hektarësh, të cilën e konsiderojnë kullotë të përbashkët të fshatit. Gjatë emisionit FOL, ata kanë ngritur akuza për parregullsi në dokumentacion, dëgjesa të kontestuara dhe mungesë konsultimi me komunitetin, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e drejtësisë për zgjidhjen e konfliktit.

 

Banorët pretendojnë se dëgjesa e parë, në mbështetje të projektit, është zhvilluar me 33 firma, ndërsa peticioni kundër marrjes së kullotës ka mbledhur 84 firma të banorëve. Sipas tyre, një pjesë e firmave pro projektit u përkasin personave që nuk janë banorë të fshatit. Ata thonë gjithashtu se dokumentet i referohen Ramnagores, në zonën e Ostrenit, ndërsa punimet po kryhen në Fushën e Gjoricës.

 

“Pa ardhur vendimi nga drejtësia, nuk do të lejojmë të hyjë njeri”, deklarojnë banorët, të cilët thonë se kanë bërë kallëzime në Prokurori dhe SPAK. Ata paralajmërojnë se konflikti mund të përshkallëzohet nëse kompania tenton të rifillojë punimet.

 

Përtej debatit mbi dokumentet dhe ligjshmërinë e projektit, shqetësimi kryesor i banorëve është humbja e kullotës nga e cila sigurojnë jetesën. Sipas tyre, në këtë fushë kullosin qindra krerë bagëti, ndërsa marrja e saj do t'i detyronte shumë familje të shisnin tufat dhe të largoheshin nga fshati.

 

“Po na morën kullotën, nuk do të mbetet më njeri këtu”, shprehen ata, duke kërkuar që makineritë të largohen deri në përfundimin e shqyrtimit nga drejtësia.

 

Konflikti për Fushën e Gjoricës mbetet i hapur, ndërsa banorët kërkojnë transparencë për dokumentacionin, dëgjimin e komunitetit dhe pezullimin e punimeve deri në sqarimin e çështjes.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy