
Zëvendës ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci, bëri një panoramë të situatës në vend si pasojë e gripit të shpendëve, duke thënë se në shumë vende të BE, si Franca, Gjermania, Polonia, Hungaria, Zvicra, Spanja, Italia, Greqia janë konfirmuar raste të pranisë së influencës aviare në shpendë të egër dhe në stabilimente të rritjes së shpendëve.
Lidhur me vendin tonë, Gjeci deklaroi se siguron konsumatorët se nuk ka asnjë rast nga studimet e bëra që sëmundja mund të transmetohet nga konsumimi i nënprodukteve të shpendëve.
AKU është në terren në secilin subjekt tregtues mishi dhe po kontrollon çdo produkt për të garantuar sigurinë ushqimore. Aktualisht zonat në karantinë janë: Durrës, perimetri me rreze 10 km në qarkun Durrës me qendër në fshatin Rrashbull. Dibër, perimetri me rreze 10 km në qarkun Dibër me qendër në fshatin Rrethkal (rasti pozitiv në shpend oborri). Korçë, perimetri me rreze 10 km në qarkun Korçë me qendër në fshatin Prespë të vogël (rasti pozitv i pelikanit kaçurrel).
Ministria bën të ditur se deri tani janë raportuar të ngordhura 358 mijë e 520 shpendë nga të cilat, ditën e djeshme janë groposur pothuajse 39 mijë shpendë.
Lidhur me sinjalizimet që janë marrë nga media, Gjeci tha se është aktivizuar shërbimi veterinar, i cili në bashkëpunim me pushtetin vendor kanë marr masat për ndalim të tregtimit në kushte të pa miratuara.
Ftojmë çdo shtetas që nëse has në tregti të pakontrolluar të produkteve të mishit ti drejtohet numrin jeshil 0800 33 66.



