Bashkimi Europian ka kërcënuar Britaninë e Madhe me masa ligjore nëse ndryshon pikat kyçe të marrëveshjes për Brexit.
Me anë të një deklarate, pas takimit mes dy palëve, BE-ja është shprehur se ndryshimet “dëmtojnë seriozisht besimin mes Britanisë dhe Bashkimit Europian”.
Nga ana tjetër, qeveria britanike është përgjigjur se parlamenti i saj është Sovran dhe mund të miratojë ligje që shkelin detyrimet e traktateve të Britanisë.
Mësohet se bisedimet për tregtinë mes negociatorit britanik për Brexit, Lord Frost dhe homologut të tij nga BE, Michel Barnier po vazhdojnë.
BE-ja është shqetësuar pas propozimit të kryeministrit britanik, Boris Johnson për të ashtuquajturin Projektligji për Treg të Brendshëm që është publikuar ditën e mërkurë.
Në atë projektligj, përmendet edhe Protokilli për Irlandën Veriore, element i marrëveshjes për largimin nga BE që synon të parandalojë vendosjen e një kufiri në këtë zonë.
Projektligji i ri, propozon që të mos ketë kontrolle të mallrave që kalojnë nga Irlanda Veriore për në Britani të Madhe.
Ky dokument u ofron mundësi ministrave britanikë që të ndryshojnë rregullat që lidhen me transportin e mallrave nga 1 janari, nëse Britania dhe BE-ja nuk arrijnë marrëveshje për tregti.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka thënë se është “shumë e shqetësuar” pas paraqitjes së projektligjit në parlament dhe se veprime të tilla “dëmtojnë besimin” me BE-në.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga unioni, ndërsa kundër janë shprehur 48 për qind, në referendumin e mbajtur në vitin 2016.



