Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore verore Mali i Robit, në Golem ka dhënë lajmin se brenda dy ditësh do vinë një sasi tjetër vaksinash.
Teksa ka folur për procesin e vaksinimit, Manastirliu tha se me ardhjen e dozave të tjera, do të ulet fashat e vaksinimit masiv në 50 vjeç.
Brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi serish një lëvrim të kontratave të lidhura të vaksinave anticovid. Do të jenë 100,000 vaksina Coronavac, të cilat pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme, ndërkohë 11,700 vaksina të Pfizer pritet të mbërrijnë ditën e hënë. Me mbërritjen e vaksinave do të mundemi të zgjerojmë fashën e vaksinimit për grupmoshat, sipas kalendarit tonë dhe planit të vaksinimit masiv, duke e ulur në 50 vjeç dhe duke iu dedikuar si fillim qytetarëve të cilët kanë një sëmundje kronike.
Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore Mali i Robit në Golem, një prej zonave me fluksin më të madh të pushuesve gjatë sezonit veror, Manastirliu tha se 29 qendrat shëndetësore verore kanë nisur të ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës. Në qendrat shëndetësore verore janë 170 mjekë dhe infermierë të trajnuar në shërbim 24 orë për pushuesit dhe turistët.



