
Tetëmbëdhjetë prilli është parashikuar si dita kur Shqipëria do të bëhet zyrtarisht me një aeroport të dytë funksional. Një muaj më parë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se avioni i parë do të ngrihet nga pista e Kukësit pikërisht më 18 prill.
“Në datë 18 prill kemi vendosur kryerjen e fluturimit të parë. Në këtë fazë tashmë ka nisur certifikimi i aeroportit. Autoriteti i Aviacionit Civil edhe të gjithë komponentët e tjerë, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të punojnë në aeroportin e Kukësit janë duke punuar për të mbyllur fazën e certifikimit dhe për të nisur menjëherë me fluturimin e parë të Air Albania-s në këtë aeroport, ashtu siç e kemi premtuar, nga Londra, siç kryeministri e ka thënë disa herë”, tha ajo.
Dhjetë ditë para këtij afati, nuk ka asnjë tregues që të bind se ky premtim do të mbahet. Aeroporti i Kukësit është ende në fazën e licencimit, hapi i fundit që do t’i jepte atij dritën jeshile për nisjen e fluturimeve.
Për më tepër, “ngrirja” e kontrollorëve që u pasua me paralizimin për dy ditë të fluturimeve nga Rinasi, e vështirëson mbajtjen e këtij premtimi.
Autoritetet shqiptare bënë kërkesë për kontrollorë ajrorë nga vende të tjera, për të zgjidhur ngërçin e krijuar. Ndihma erdhi nga Turqia, e cila solli kontrollorët e saj, për të menaxhuar hapësirën ajrore shqiptare.
Por kjo zgjidhje e momentit të fundit nuk përfshin mbulimin me kontrollorë të aeroportit të Kukësit.
MCN kontaktoi Dritan Goxhajn, ekspert i trafikut ajror, sipas të cilit zhvillimet në Albcontrol e kanë ndryshuar situatën.
Deklarata ka qenë para se të ndodhte kjo situatë. Pas kësaj situate çdo gjë ka lëvizur, nuk është më siç ka qenë.
Ndryshe nga sa deklaroi tre ditë më parë kryeministri Rama, kulla e kontrollit në aeroportin e Kukësit duket e nuk do të jetë gati të japë sinjalin e uljes së avionit të “Air Albania”-s “me çunat e Kukësit që do vijnë nga Londra të seleksionuar në bazë të numrit të sharjeve dhe të përqeshjeve që më kanë bërë mua kur thoja që do bëjmë aeroport në Kukës".



