
Në lagjen “Rilindja” në Fushë-Krujë vijon puna pa pushim për ndërtimin e qindra banesave për familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga punimet, të cilat sipas tij, kanë hyrë në fazën finale për banesat individuale.
“Mirëmëngjes dhe me kantierin e lagjes së Rilindjes së Fushë Krujës ku punimet kanë hyrë në fazën finale për banesat individuale, e për Krishtlindje edhe pallatet e infrastruktura publike do të jenë të përfunduara, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Në kuadër të programit të rindërtimit në Fushë-Krujë po ndërtohen 15 pallate, 100 apartamente, 167 shtëpi individuale.
Lagjja e re përfshin çerdhe, kopsht, qendër shëndetësore, shërbime administrative dhe një treg të madh për zonën.



