
Uragani Laura, i cili prej ditësh ka prekur Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë i frikshëm.
Ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit, uragani goditi bregun afër kufirit Tekas-Luiziana, me erërat mbi 240km në orë.
Uragani Laura po i afrohet kategorisë 5 (nga 252 km në orë e lart). Kjo është një stuhi me përmasa historike, me shpejtësinë e erës që kalon uraganin Katrina në 2005.
Meteorologët kanë shfaqur frikë nga rreziku i përmbytjeve që sipas tyre mund të shkaktojnë shumë viktima dhe dëme të shumta materiale në orët e ardhshme.
“Laura është një uragan i frikshëm”, tha Qendra Kombëtare e Uraganit dhe ekziston rreziku për të ngritur një stuhi që mund të shkaktojë viktima dhe dëme të mëdha materiale, me erërat ekstreme dhe përmbytjet masive. Rreziku është se gjatë orëve të ardhshme valët e oqeanit mund të shkojnë deri në gjashtë metra.
Uragani Laura ditën e djeshme fitoi forcë, pasi gjatë gjithë natës erërat vazhduan të forcohen, brenda 24 orëve, stuhia vlerësohej të kishte fituar 70 për qind forcë.
Gjysmë milionë qytetarëve u është kërkuar të zhvendosen nga vendbanimet e tyre deri sa të kalojë stuhia. Mësohet se mbi 103 mijë banesa kanë qenë pa energji elektrike deri më tani mes Luzianës dhe Teksasit. Luziana të hënën u godit nga stuhia tropikale Marco, e cila shkaktoi erëra të forta dhe shi të rrëmbyeshëm.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka komunikuar me popullsinë e zonave ku uragoni do të kalojë, duke u bërë thirrje për të dëgjuar autoritetet lokale, pasi stuhia është shumë e rrezikshme dhe po fuqizohet shpejt.
Evakuimet po bëhen më të komplikuara për shkak të urgjencës së koronavirusit, ndërsa guvernatori i Teksasit, Greg Abbott u ka kërkuar familjeve që kanë mundësi që të strehohen në hotele dhe motele për të garantuar veçimin shoqëror.



