
Emisioni “Fol” u ndal sot në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, ku 30 familje po luftojnë për të mbajtur strehën e tyre. Familjet tregojnë se janë futur në objektin që ka qenë konvikt shkolle si të pastreha, që prej vitit të largët 1992. Por pas dekadash tokës i del pronari, i cili e ka blerë objektin. Që nga ai moment ka filluar përballja, ku banorët pretendojnë se ai është bërë pronar me dokumente false, dhe e ka blerë ndërtesën.
Ndoc Noci, një nga banorët tha:
“Jam banor i kësaj banese që në 92-shin. Në ka futur bashkia me një vendim. Ka marrë vendim që ky konvikt t’u shpërndahet banorëve të pastrehë. Objekti më i vogël këtu ka kushtuar 20 milionë lekë për t’i kthyer në ambiente banimi. Gjithçka është bërë me shpenzimet tona.
Këtu janë 30 familje, rreth 200-250 banorë. Që në 2012-ën kanë ardhur me forca policie për të na nxjerrë jashtë. Ne s’dinim gjë fare. Lorenc Luka atëkohë kryetar bashkie....Se ne kemi kërkuar ta privatizojmë. Në 2009 ne i kërkuam kryetarit të bashkisë që ta privatizojmë.
Në 2012-ën e ka blerë zotëria në fjalë. Si e ble ti ndërtesën me 30 banorë dhe pa lajmëruar?! Bashkia ia ka kaluar topin Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit ia ka lënë bashkisë
. Në 2014 Gjykata e rrethit Shkodër hodhi poshtë vendimet e zyrës përmbarimore. Zotëria është bërë pronar me dokumente false. Ai ka ardhur në 93-shin në Shkodër. S’e kam kuptuar si mund të bëhet dikush pronar, pa qenë pronar. Ai e ka blerë, se si e ka blerë e di ai”.
Një tjetër banor tha se ndonëse janë zhvilluar 10 seanca gjyqësore, ata s’kanë marrë pjesë në asnjë prej tyre.
Banorët thonë se nuk janë “uzurpues” të pronës sikurse cilësohen në një nga vendimet e gjykatës.
Po ashtu ata shprehen se zotëria që pretendon pronën nuk ka siguruar aktin kadastral të trashëgimisë.
“Këtu dikush e ka shitur!”, theksojnë ata. “Ne zotërinë e kemi çuar në gjyq edhe për ndërtesën, edhe për tokën”, shtojnë ata.



