
Presidenti Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Tokës në mesazhin e tij sensibilizues për nder të kësaj dite, ka kërkuar një kujdesje më të shtuar për të mbrojtur mjedisin dhe ekosistemin.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit Meta, shkruan se duhet të marrë fund regresi i ndërtimeve pa kriter në kurorat e gjelbërta.
“Për një të ardhme më të shëndetshme të fëmijëve tanë, është detyra jonë ta mbrojmë tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, duke treguar një kujdes e vëmendje më të shtuar për mjedisin dhe ekosistemin, ruajtjen e biodiversitetit të pasur dhe pyjeve të bukura të Shqipërisë. Mbrojtja e tokës dhe e mjedisit, nuk duhet trajtuar si propagandë mediatike! Të gjithë jemi dëshmitarë se si kurorat e gjelbërta, që duhet të ishin mushkëria e pacënueshme e qyteteve tona, fatkeqësisht janë dëmtuar nga ndërtimet pa kritere, një regres që duhet të marrë fund! Ta bëjmë tokën një vend më të mirë për të jetuar!” shkruan presidenti Meta në mesazhin e tij në rrjete sociale.
Poashtu për nder të kësaj dite, Ambasada e SHBA në Tiranë ka shpërndarë sot një mesazh sensibilizimi.
"Sot është Dita e Tokës dhe mënyra më e mirë për të ndihmuar në këtë ditë është që të përfshiheni! Shqetësimi për mirëqënien e planetit tonë sa vjen e rritet, sidomos në njohjen e shtrirjes së ndotjes nga plastika. Sfida e Tokës 2020 do të krijojë të dhëna të hapura, në mënyrë që kërkimet të masin mirëqënien e planetit tonë – dhe për këtë duhet ndihma juaj", shkruhet në njoftimin e ambasadës amerikane.



