Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një komunikim online me kryetarët e bashkisë Mirditë dhe Kavajë, se janë 20 087 familje që përfitojnë grant për meremetimin e banesave të tyre, të cilat u dëmtuan nga tërmeti 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
“1208 familje në Kavajë dhe 177 familje në Mirditë përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive. Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë”, deklaroi Kryeministri.
Rama tha se, në Bashkinë e Shijakut janë 1 513 familje përfituese të grantit të meremetimit, në Bashkinë e Kamzës janë 771 familje, në Bashkinë e Kurbinit 1651, 177 familje janë përfituese në Bashkinë e Mirditës, 350 familje në Rrogozhinë, 1208 familje në Kavajë, 809 familje në Vorë, 2065 në Krujë, 3 mijë në bashkinë e Tiranës, 7449 në Durrës dhe 1073 në bashkinë e Lezhës.
Nënkryetarja e Bashkisë së Mirditës, Marie Nikolli informoi se janë 118 familje të klasifikuara me dëmtime DS4 dhe DS5.
“Në Bashkinë Mirditë janë miratuar dy zona zhvillimore. Në zonën e parë zhvillimore me sipërfaqe 36 500 m2 është parashikuar të ndërtohen 32 banesa individuale dhe një banesë kolektive. Në zonën e dytë zhvillimore planifikohet një ndërtesa kolektive”, theksoi ajo.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, tha se po vijon shpërndarja e granteve për dëmtimet nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas tij, janë 1208 familje që përfitojnë grantin e meremetimit ndërsa shuma në dispozicion është 360 milionë lekë.
Po ashtu, ai informoi se në Bashkinë e Kavajës do të ndërtohen 133 shtëpi individuale dhe 7 objekte kolektive.



