
Xhadat: Emisioni Investigativ "Xhadat" në MCN TV, janë rikthyer sërish trajtimit të shkeljes flagrante të ligjit në Arsimin e Lartë nga rektorja e Universitetit të Elbsanit, Elvira Fetahu, e cila ka kapërcyer titujt dhe gradat shkencore gjatë studimeve adakemike.
Gazetari investigativ në Emisionin "Xhadat", Ersid Karaj, pas kërkesës për të takuar Rektoren e Elbasanit në Universitet, e cila nuk pati asnjë reagim prej saj apo zyrtar nga Universiteti i Elbasanit, ka ndjekur trajtimin e kësaj teme, në lidhje me gradat shkencore që ka kryer znj.Elvira Fetahu ndër vite në Universitetin "Aleksandër Moisiu" në Durrës dhe në Universiteti Bujqësor të Tiranës që i ka dhënë gradën e fundit "Akademik Profesor". Për këtë shkelje në dhënien e titujve, "Xhadat" referuan rastin në fjalë edhe në Ministrinë e Arsimit.
Ligjet dhe gradat shkencore përcaktohen në ligjin 80/2015 për Arsimin e Lartë:
Ky ligj në nenin 61, pika 1, përcakton se “Për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon gradën shkencore “Doktor”, prej së paku pesë vitesh, është personel akademik i kategorisë “Lektor” dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit “Profesor i asociuar.
Znj. Elvira Fetahu është doktoruar në vitin 2015, madje në gjysmën e dytë të këtij viti, pra në vitin 2016, ajo përfiton titullin “Profesor i Asociuar”, në pothuaj gjashtë muaj mbas doktoraturës.
Por le ta marrim për një çast se Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit e ka pas filluar procedurën e titullit në fjalë në bazë të ligji nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, por përsëri ky ligj e kishte të përcaktuar se afati kohor minimal për përfitimin e titullit akademik “Profesor i Asociuar”, duhet të jetë tre vite.
Në të dyja rastet ligjore zonja Fetahu është në shkelje. Këtu ka luajtur me “mjeshtëri” edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, sepse për fitimin e titullit Akademik “Profesor i asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon së paku pesë vjetësh titullin “Profesor i asociuar” dhe deri këtu duket sikur gjithcka është në rregull, pasi znj. Fetahu rezulton me tetë vite si “Profesore e Asociuar”, por Universiteti Bujqësor i Tranës për t’ia hedhur ligjit, nuk e ka konsideruar faktin që nga “doktoratura” tek “Profesori” duhet të kenë kaluar të paktën dhjetë vjet.
Taulant Muka, ekspert arsimi shprehet se kjo tregon kapërcimet që bëhen gjithmonë me titujt në Shqipëri. Meqë zonja ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” në vitin 2016, i bie të jetë i aplikuar ligji i 2015 i arsimit të lartë.
“Në nenin 61 thuhet se për titullin akademik “Profesor i asociuar”, duhet të aplikojë personali që gëzon prej 5 vitesh gradën shkencore “Doktor”. Është evidente që zonja nuk e plotëson kushtin 5-vjeçar”, shprehet Muka.
Eksperti Taulant Muka shprehet se kemi nevojë për një “vetting akademik” në Shqipëri, sepse këto persona që duhet të jenë ajka e shoqërisë, janë ata që kanë shkatërruar sistemin arsimor dhe e kanë lënë pa cilësi, por thjeshtë diplomore.
“Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës duhet të mblidhet dhe të hetojë rastin, sepse kemi kapur një rast doktoraturë që e kemi trajtuar para 6 muajve apo 1 viti ku 70% e gradës ishte plagjiaturë dhe ai person vazhdon jep mësim po në këtë universitet”, shprehet eksperti i arsimit, Taulant Muka.
Taulant Muka, shprehet për çështjen e gradave shkencore në shkelje kemi pasur edhe raste të ngjashme në Universitetin “Aleksandër Moisiu” që ka kapërcyer titujt shkencorë dhe personi vazhdon të japë mësim ende si pedagog.
““Xhadat” shkuan tre ditë rresht në Universitetin e Elbasanit për të takuar znj. Fetahu, por në asnjë moment ajo nuk u përgjigj as me intervistë, me shkrim, as në telefon, madje, urdhëroi marrjen e masave nga punonjësit e shërbimit që dyert e universitetit të mbylleshin për gazetarin Ersid Karaj. As edhe sot nuk ka një regim zyrtar nga znj.Elvira Fetahu apo nga Universiteti i Elbasanit, "Aleksandër Xhuvani".
Për këtë çështje nuk mban përgjegjësi vetëm znj.Elvira Fetahu, por edhe Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, gjithashtu edhe Ministria e Arsimit.



