
Pas disa muajsh protesta në Mali të marten po ekziston frika për një grusht shteti.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se asgjë nuk dihet ende për fatin e presidentit Ibrahim Boubacar Keita dhe kryeministrit Boubou Cisse.
Aludohet se ata mund të jenë “arrestuar” të martën pasdite në Bamako, kryeqyteti i vendit, nga ushtarët rebelë.
Një nga drejtuesit e rebelimit, deklaroi: Mund t’ju themi se Presidenti dhe Kryeministri janë nën kontrollin tonë. Ne i arrestuam ata në shtëpinë e Presidentit.
Protestat popullore, të cilat filluan pas akuzave për manipulim të zgjedhjeve të fundit, u shtypën me forcë me urdhër të presidentit Keita, duke shkaktuar kështu edhe vdekjen e 50-të protestuesve, arrestimin e dhjetra studentëve, punëtorëve dhe disa politikanëve opozitarë.
Mësohet se të martën në mëngjes, rreth orës 08:00, u dëgjuan disa të shtëna me armë në rrugët kryesore të Bamakos, ku dhe mund të ketë nisur kryengritja e drejtuar nga njësitë ushtarake të garnizionit të vendosur në bazën e Kati-t, në veri të qytetit. Në krye të grushtit të shtetit mendohet se është kolonel, Diaw.
Referuar informacioneve jozyrtare ushtria ka zaptuar institucionet kryesore, si dhe televizionin shtetëror “ORTM”, duke arrestuar edhe kryetarin e Kuvendit të Malit, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, ministrin e Jashtëm Kamissa Camara, atë të Ekonomisë dhe Financave.
Qytetarët e Malit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe për paaftësi për t’u përballur me kërcënimin xhihadist (pjesa veriore e vendit është akoma në duart e grupeve xhihadiste), si dhe për krizën ekonomike e për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura mes muajve mars dhe prill të këtij viti.



