Pastori Akil Pano thotë se Bibla është libri që ka ndërtuar qytetërimin perëndimor, i cili fatkeqësisht në ditët tona, në këtë fazë të modernitetit është duke u endur gjithkund për të gjetur një identitet.
Për emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai veçoi veçanërisht Europën Perëndimore, si një kontinent tashmë jo vetëm i plakur por që rreket të rizbulojë identitetin e tij edhe pse bazat e Europës u ngritën mbi këtë themel të palëvizshëm, moraliteti dhe vlerash besimi.
Pano tha se sot vijmë në një moment ku gjithë kolonat e palëvizshme të moralitetit, religjionit, në një farë mënyre janë goditur përmes luftërave të ndryshme, përmes botës së mendimit, teorive funksionaliste dhe gjejmë një Europë multikulturore, një shumësi gjuhësh, ndërkohë që e sheh në ditën më të zezë dhe më të keqe.
Sipas tij, është thuajse e pamundur të shkosh në një vend në Lindje dhe të praktikosh kulturën tënde në një shtet autokrat, monolit, ku liria që ne kemi në Europë, është komplet një kontrast me çfarë ndodh në këto vende të tjera.
Pastori shtoi se në këto vende, familja nuk është duke u përballur me ato dimensione që e kanë goditur familjen në Europë dhe familja po përballet me nivele të larta divorci, shpërbërje, me fëmijë të cilët fatkeqësisht janë deri diku duke u parë si projekte të caktuara.
Ai deklaroi se qeveri si Kanadaja apo qeveri të caktuara në pjesën e skajit skandinav të Europës, janë duke marrë në një farë mënyre autoritetin prindëror për rritjen e këtyre fëmijëve, se njeriu në Europë nuk ka më kohë të mendoj, nuk ka kohë të siguroj për të ardhmen, mbase të investojë në mënyrë të qenësishme për të ardhmen.
Në fund të ditës thelbi i shoqërisë nis me këto vlera, martesa mes një burri dhe një gruaje, që sjell qëndrueshmëri në raportin në familje, tek prindërimi, rritja e fëmijëve, mirëqenia e tyre dhe presupozohet që të jetë garanci për një shoqëri më solidare.
Një familje e shëndetshme, është parathënie e një libri që kapitujt e tjerë të tij, do të jenë të bukur. Kemi një historik tonin kombëtar, me komunizmin, me ndalimin, regjimet shtrënguese, nuk po imagjinojmë idenë e rikthimit tek censura.
Por ideja e rizbulimit të vlerave më të mira që mund t’i konservojmë nga tradita, duhet t’i ruajmë, vlerësojmë dhe kultivojmë.
Fjala konservator, hera herës më bën çudi që zgjoin debat në agorën e debatit publik, sepse lidhet me diktatorët, Putin apo emra të tjerë liderë dhe udhëheqës të tjerë botëror.
Por në fakt konservatorizmi lidhet me faktin e përgjegjësisë njerëzore për të ruajtur dhe mbrojtur atë që kemi trashëguar si vlerë, nga besimi, morali dhe tradita e familjes.
Presupozohet se gruaja e veshur dhe mbuluar rëndë, ka vepruar në përputhje me lirinë e saj, është zgjedhja e saj e lirë të vishet në atë mënyrë. Sikundër zonjusha apo zonja e cila është pothuajse e zhveshur tërësisht ka vepruar në përputhje me manifestin e lirisë së saj.
Por jam i bindur se ashtu sikundër dikush ka thënë nëse nuk bëhesh komunist deri 20 vjeç, nuk bëhesh dot kurrë.
Kështu që edhe ky udhëtim rinor gjysmë i zhveshur, gjatë udhëtimit të individit, njeriu mëson, shikon, maturohet, shikon dhe modele të tjera, ato pjesët e zbuluara do fillojë t’i mbulojë në mënyrë graduale.
Nuk ka ndjenjë më të shenjtë për atë që beson se sa besimi dhe feja e tij dhe në rast se dikush e percepton fenë e tij si diçka vërtetë të shenjtë dhe brenda fesë janë dhe praktikat, ceremoniali, një kod veshje, në formën e hijeshisë, të shfaqesh në publik që të mos joshësh meshkujt e tjerë. Brenda kësaj kulture çdo person vepron në përputhje me dimensionet e lirisë së kuptimit dhe perceptimit të tij dhe për sa kohë që vepron jo në shtrëngim, e detyruar nga burri të mbulohet, apo zonjusha tjetër e detyruar nga pronari i saj të zbulohet, por në të dyja rastet kanë vepruar nga liria...



