
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi Moikom Zeqon me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Në një ceremoni të veçantë ku ishin të pranishëm akademikë, shkencëtarë, diplomatë, arkeologë, studiues, shkrimtarë, kritikë, doktorë, botues dhe përfaqësues të medieve, Presidenti i Republikës vlerësoi lart veprimtarinë e Zeqos në dobi të historisë, artit, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.
Titulli i jepet Moikom Zeqos, “Në vlerësim të kontributit të tij poliedrik në dobi të artit, kulturës e historisë sonë kombëtare. Me cilësitë e shquara si studiues, talentin dhe aftësitë krijuese i ka ofruar publikut shqiptar dhe të huaj vepra të spikatura në fushën e albanologjisë, muzeologjisë, etnokulturës dhe arkeologjisë, si dhe botime letrare në prozë dhe poezi, të vlerësuara për origjinalitetin krijues. Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për ndriçimin e gjenezës së kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar me përkushtim, kurajë intelektuale, qytetari dhe profesionalizëm të lartë”.“Jam shumë i lumtur që sot, t’i akordoj titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, një personaliteti dhe një njeriu të veçantë; një intelektuali të shquar; një zëri të fuqishëm dhe pene të fortë e të thellë; një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë; një mendimtari të vyer për kombin tonë; një studiuesi të paepur; një miku të dashur, zotit Moikom Zeqo, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij”, tha Meta.
Pasi mori në dorëzim titullin e lartë, zoti Moikom Zeqo falënderoi Presidentin e Republikës për vlerësimin në këtë përvjetor të shtatëdhjetë të ditëlindjes dhe citoi fjalët e Heroit tonë Kombëtar: “Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”.



