8 maji shënon Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, një datë që përkujton lindjen e themeluesit të lëvizjes humanitare, Henry Dunant (8 maj 1828), i cili është gjithashtu fituesi i parë i Çmimit Nobel për Paqe.
Kjo ditë nderon kontributin e mbi 17 milionë vullnetarëve në mbarë botën, të angazhuar në ndihmë humanitare dhe emergjenca të ndryshme.
Dita e Kryqit të Kuq është shënuar për herë të parë në vitin 1948, ndërsa pas disa ndryshimeve në emërtim, në vitin 1984 u përcaktua si Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Kjo datë vë në pah rolin e rëndësishëm të anëtarëve dhe vullnetarëve të këtyre organizatave në shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e njerëzve në nevojë në mbarë botën.
Dita feston misionin humanitar për ofrimin e ndihmës pa dallim, në situata emergjente, konflikte apo fatkeqësi natyrore, si dhe synon të nderojë punën e atyre që shërbejnë në terren në mënyrë vullnetare dhe profesionale.



