Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka shpjeguar se si do të funksionojë rimbursimi i barnave për të prekurit nga koronavirusi. Teksa ndodhej për një vizitë në Qendrën Shëndetësore nr.2 në Tiranë, Manastirliu gjatë komunikimit me mjekët shpjegoi se si do të operohet në rastet kur një i prekur nga koronavirusi paraqitet tek mjeku i familjes.
Sipas ministres, një i prekur nga koronavirusi fillimisht duhet të komunikojë me mjekun e familjes. Pas kësaj, mjeku i jep atij recetën bashkë me një kod unik, me të cilin pacienti paraqitet në farmaci.
Pasi sheh kodin unik, farmacia i siguron pacientëve barnat për koronavirusin të rimbursuara me të cilat mund të trajtohet në shtëpi.
E gjithë procedura vlen për të sëmurët me simptoma të lehta apo të mesme, ndërsa nëse situata rëndohet është mjeku i familjes që e vlerëson dhe më pas ai mund të trajtohet në spital.



