Analisti Engjëll Musai ka komentuar në “MCN Live” lidhur me zjarrin e rënë në një pallat të kompanisë “Arlis” në Tiranë, duke ngritur shqetësime për sigurinë në ndërtim dhe përgjegjësinë institucionale.
Sipas Musait, çështja nuk lidhet vetëm me koston e apartamenteve, por me standardet e sigurisë që duhet të respektohen në çdo fazë të ndërtimit dhe kolaudimit.
Unë do thosha që përtej çmimit që kushton shumë, përgjegjshmëria duhet të ishte më e madhe. Por edhe me 100 euro të ishte metri katror, aty banojnë njerëz dhe e para që duhet të mendosh është rreziku.
Besoj se ka një protokoll, siç ka në shëndetësi apo digat e ujit, ka edhe për ndërtimin dhe ata që kanë marrë përsipër të bëjnë kolaudimin duhet ta marrin protokollin përpara për të parë çfarë ka kaluar dhe çfarë jo, nëse duhet banuar apo jo.
Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësia duhet të shpërndahet në disa institucione dhe aktorë, përfshirë ndërtuesit dhe autoritetet publike.
Përgjegjësia për ndërtuesit duhet të ishte më e madhe. Është fatkeqësi e madhe dhe bashkia, hipoteka dhe shumë institucione të tjera janë përgjegjëse sa i përket sigurisë, por edhe vetë qytetarët duhet të edukohen kur vendosin të blejnë një objekt dhe të bëjnë sigurimin e tij. Fati i madh që ishte zjarri në fasadë, se po të ishte nga brenda do ishin asfiksuar të gjithë.



