
Përmes një video- mesazh, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Anastas Janullatos i çoi një mesazh të gjithë besimtarëve ortodoksë të cilët këtë nesër festojnë Pashkët.
Me rastin e kësaj feste simbolike për besimin ortodoks, Janullatos është shprehur se ngjallja e Krishtit sjell shpresën paskale e cila do të ndriçojë jetën e çdo njeriut duke mposhtur veset shkatërruese të shoqërisë dhe përballjen me vdekjen.
“Ngjallja e Krishtit na ofron shpresë të pamasë. Kjo shpresë buron nga lajmi i gëzuar se u mund vdekja, armiku i paepur i njeriut, e mundi Jezu Krisht. Ngjallja forcon shpresën për tu përballur me çdo energji vdekjeprurëse që na mundon. Forcon shpresën se do të mposhtet përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, gënjeshtra dhe arroganca, që e vrasin paqen duke e çuar Shqipërinë në dekadencë.
Gjithashtu shpresë e Pashkëve na jep fuqi dhe na siguron se me anë të ndriçimit të Krishtit do të gjendjen daljet shpëtimitare nga rrugët pa krye, politike, kishtare, sociale që na mundojnë. Krishti u ngjall vllezër e motra, shpresa paskale do të ndriçojë jetën tonë.”, tha në urimin e tij, kryepeshkopi Janullatos.



