Ministrja e Arsimit të Madagaskarit, Rijasoa Josoa Andriamanana, është pushuar nga puna pasi urdhëroi pushtetin vendor të investojë dy milionë dollarë për blerjen e lëpirëseve të sheqerit.
Arsyeja e këtij investimi ishte shpërndarja e tyre për nxënësit afrikanë për të ëmbëlsuar shijen e hidhur të një ilaçi natyral kundër koronavirusit.
Sipas saj, të gjithë nxënësit do të shijonin një lëpirëse pasi të merrnin ilaçin e quajtur “Covid-Organics”, një përzirje bimore dhe erëzash, i promovuar nga qeveria me veti kuruese ndaj Covid-19, edhe pse deri më tani nuk ekziston asnjë provë shkencore në lidhje me vetitë kuruese të këtij ilaçi.
OBSH ka mohuar kategorikisht se “Covid-Organics” mund të ketë ndonjë efikasitet kundër koronavirusit. Përkundër kësaj, qeveria e Madagaskarit, synon të vazhdojë të eksperimentojë për gjetjen e një kure.
Megjithatë, veprimi i ministres ka ngjallur shumë kritika edhe brenda ekzekutivit. Ishte presidenti Andry Rajoelina, ai që u shpreh kundër një iniciative të tillë për shkak të shpenzimeve të mëdha që kërkohen për blerjen e lëpirëseve.
Për këtë arsye, programi i saj u ndërpre dhe ministrja u shkarkua në vend.
Posti i saj do të mbahet përkohësisht nga Elia Beatrice Assoumacou.



