
Një anketë e publikuar së fundmi nga Shoqata ‘Together For Life’ hedh dritë për shifra rekord, të largimit dhe dëshirës për tu larguar nga Shqipëria, pasi 78% e mjekëve tanë pohojnë se duan të largohen. Gjermania duket se mbetet objektivi kryesor. Po si është përvoja e të larguarve dhe a do të ktheheshin sërish për të punuar në Shqipëri? Të kontaktuar nga TEMA TELEVIZION dy nga infermierët që aktualisht ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani hedhin poshtë çdo mundësi për tu kthyer në Shqipëri. 43-vjecari M.N thotë se puna në Gjermani i ofron cdo kusht që vendi i tij nuk ia ofron.
“Për largimin nga Shqiperia më shtyu e ardhmja e pasigurtë për sot dhe vitet që do vinin, si për vete edhe për fëmijet. Duke marrë parasysh pagat, sistemin arsimor, sistemin shendetësor dhe tërë shtetin në përgjithësi. Duke parë diskriminimin si nga ana financiare dhe nga ana morale, përballja me dhunë nga të gjitha mënyrat është pjesë e punës së përditeshme në profesionin tonë, nuk e shoh të arsyeshme kthimin atje. Rroga ka një ndikim mbi 50% por nuk është e vetmja që të detyron të largohesh nga atje. Ndërsa këtu të sigurohet: Siguri për vendin e punës, Shëndetësi falas për tërë familjen, Arsimim falas, Mbështetje financiare për fëmijet, Rritje pagash të herë pas hereshme , Trajnime profesionale të paguara, Respekt për profesionin dhe vendin që të takon”, thotë 43-vjçari.
Kur flitet për arsyet, të gjithë bashkohen në një pikë pasi edhe 36-vjecarja me iniciale R.D rrëfen dhunën psikologjike që sipas saj ka përjetuar për 11 vjet në QSUT.
“Unë jetoj në Gjermani kam 15 muaj. E para që më shtyhu qe të ikja ishin, kushtet ku jetoja dhe ku punoja asnjeherë, nuk kishte motivim dhe vlerësim për ne infermierët por gjithmonë të përbuzur si nga mjekët ashtu edhe nga opinioni publik nga njerzit e thjeshtë. Unë nuk kthehem më kurrë në Shqipëri, sepse këtu kam siguri për gjithçka për familjen time dhe për të ardhmen e fëmijëve të mi. Kam punuar 11-të vjet në QSUT dhe jam përballur me shumë situata të tilla dhune fizike dhe psikologjike. Rroga është një pjesë tjetër, atje punoje në kushte skandaloze me infeksione dhe të pa mbrojtur. Për mua rroga ndikon 80% për largimin nga Shqiperia . Gjermani nuk krahesohet me asgjë, pasi na ofron ato që na mungonin atje”, theksoi 36-vjecarja.
Kur flitet për arsyet, të gjithë bashkohen në një pikë pasi edhe 36 vjecarja me iniciale R.D rrëfen dhunën psikologjike që sipas saj ka përjetuar për 11 vjet në QSUT. Përpos këtyre deklaratave edhe mjekët e anketuar thonë arsyeja kryesore mbetet mbështetja financiare 54%, më pas kushtet e punës me 50% dhe presioni i lartë që ushtrohet mbi ta gjatë ushtrimit të detyres së tyre.



