
Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, atë të Gjuhës së Huaj.
Gazetarja Marina Sulollari, në një lidhje për “MCN Live”, bëri të ditur se sipas njoftimeve të Ministrisë së Arsimit, këtë vit janë marrë masa më të rrepta për garantimin e integritetit të procesit.
Sipas vëzhgimeve të saj në terren, gjuha e huaj më e zgjedhur nga maturantët ka qenë anglishtja.
Nxënësit u paraqitën pranë qendrave të provimit me emocione, por të përgatitur për testin e parë të maturës.
Sipas informacioneve tona, gjuha e huaj më e zgjedhur nga maturantët ka qenë anglishtja.
Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Ndërkohë, më 9 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Në të gjithë vendin janë ngritur 144 qendra provimi. Mbarëvajtja e procesit po mbështetet nga 2.087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve.
Sa i përket fenomenit të publikimit të tezave, mbetet për t’u parë nëse do të ketë raste të tilla edhe këtë vit. Megjithatë, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, është shprehur se një gjë e tillë është pothuajse e pamundur për shkak të masave të shtuara të sigurisë.
Procesi i Maturës Shtetërore do të vijojë më 16 qershor me provimin e Matematikës dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.



