
Policia e Shtetit njofton kufizimin e qarkullimit për mjetet e rënda deri më 15 shtator.
Këto kufizime zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim, në autostrada, si dhe në rrugë interurbane dhe urbane (kryesisht në segmentet që përshkojnë zonat turistike).
Periudha e zbatimit ëstë nga data 19 qershor deri më 15 shtator dhe përfshin fundjavat dhe ditët e festave zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe, kufizimet e qarkullimit aplikohen sipas këtyre orareve:
-në ditën e premte nga ora 15:00 deri në orën 24:00;
-në ditën e shtunë, nga ora 07:00 deri në orën 24:00;
-në ditën e diel, nga ora 07:00 deri në orën 24:00.
Për ditët e festave zyrtare, kufizimet fillojnë nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00 dhe vijojnë nga ora 07:00 deri në orën 24:00 të ditës së festës.
Masat kufizuese shtrihen në autostrada, në rrugët interurbane dhe në akse të tjera që lidhin zonat bregdetare dhe turistike, të cilat gjatë sezonit veror kanë flukse të larta qarkullimi.
Nga këto kufizime përjashtohen mjetet e emergjencës, mjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet e transportit të mallrave të domosdoshme (përfshirë produktet ushqimore që prishen), në përputhje me përcaktimet e detajuara në udhëzim.
Në raste të veçanta, për furnizime kritike apo nevoja emergjente, mund të jepen autorizime të posaçme nga autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



