Pandemia Covid-19, krahas pasojave shëndetësore, po e përball botën çdo ditë e më shumë edhe me probleme të shumta ekonomike.
Një studim i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila përmbledh qeveritë, sindikatat dhe dhomat e tregtisë të 187 vendeve, tregon se deri në fund të këtij viti numri i papunësisë mund të shkojë deri në 25 milionë të papunë, ndërsa të ardhurat mund të reduktohen deri në 3.4 miliardë dollarë.
Ky numër i të papunëve, do t’i shtohet edhe 188 milionë personave të tjerë, që regjistrohen sot zyrtarisht në botë.
ILO, thekson se një reagim i politikës, i koordinuar ndërkombëtarisht, mund të ndihmojë në zbutjen e humbjeve përmes mbrojtjes së punëtorëve, ndihmës financiare dhe mbështetjeve për punësim e paga.
Agjensia tha se sektorët më të prekur do të jenë ai automobilistik, turizmi dhe transportet, që do të shënojnë humbje më të mëdha se gjatë krizës financiare të vitit 2009.
Ekonomitë perëndimore, tregon raporti, do të jenë ato më të goditura, me humbje që mund të tejkalojnë 3 miliardë eurot vetëm gjatë vitit 2020.
Ndërkohë, punëtorët e varfër, ata që sipas statistikave fitojnë më pak se 3 euro në ditë, do të shtohen deri në 35 milionë.



