Qeveria shqiptare është solidarizuar me ndarjen nga jeta të kreut të Vatikanit, Papa Françesku duke shpallur ditë zie, të shtunën, ditën kur mbahet funerali i tij.
Me vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave shpallet ditë zie kombëtare dita e shtunë, datë 26 prill, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.
Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.



