Ipeshkvijtë e Kishës katolike në Shqipëri kanë dalë me një deklaratë për shtyp lidhur me situatën që po kalon vendi dhe shoqëria shqiptare gjatë pandemisë së koronavirusit.
Ata thkesojnë faktin se jeta dhe shëndeti i njeriut kanë rëndësi parësore në këtë situatë dhe për këtë arsye janë bërë shumë sakrefica nga qytetarët. Por ata nënvizojnë se strukturat spitalore në Shqipëri kanë nevojë të përmirësohen pasi “jeta dhe shëndeti kanë rëndësinë e tyre jo vetëm në momente të veçanta, sikurse është një pandemi, por gjithmonë dhe për të gjithë njerëzit e të sëmurët”.
Ata vlerësojnë gjithashtu se kujdesi ndaj stafit mjekësor që janë në përballje direkte me sëmundjen dhe tamponet në gjurmimin e sëmundjes do të ishin një vlerë e shtuar në këtë sfidë që po kalon vendi ynë.
Kisha katolike i bën gjithashtu thirrje qeverisë se asistenca nëpërmjet ndihmave për familjet që po varfërohen në këtë periudhë nuk është zgjidhja.
“Pandemia ka thelluar më shumë varfërinë e familjeve tashmë të varfra e ka krijuar varfëri të reja në pragun e mbijetesës. Kjo punë nuk bëhet nëpërmjet portaleve e as me bamirësi, por me një program të qartë subsidarieteti për familjet më në nevojë. E kjo është punë e qeverisë e cila duhet të kujdeset për qytetarët e saj që jetojnë në kushte më të rënduara ekonomiko-shoqërore”, theksojnë ata në deklaratën e tyre.
Ipeshvijtë njoftojnë gjithashtu se gradualisht do të nisë hapja e aktiviteteve fetare në përputhje me rregullat e vendosura për parandalimin e përhapjes së pandemisë.



