Hidrologu dhe eksperti i mjedisit Olsi Nika duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv tha se ndikimi i hidrocentraleve është faktori kryesor që ka ndikuar në denatyrimin e lumenjve, ku Shqipëria paraqitet më keq në raport me vendet e rajonit. Nika theksoi se kjo është një humbje e madhe jo vetëm për ekosistemet, natyrën, por do të ketë pasoja në përmbytje, që do të shihen edhe më tepër në të ardhmen.
“Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në denatyrimin e lumenjve, më kryesori mbetet ndikimi i hidrocentraleve, skema me diga që bllokon rrjedhën e lumit, që jep efekte edhe në segmentet poshtë digës, por njësoj të dëmshme janë edhe hidrocentralet që konsiderohen të vogla, apo me devijim, ku diga pengon rrjedhën e ujit.
Tri janë elementët kryesorë të ekosistemit lumor: Uji, sedimentet dhe pyjet. Të tre elementët përbëjnë fytyrën apo fizionominë e një lumi. Për fat të këq Shqipëria në gjithë raportin rajonal paraqitet më keq, në humbjen më të shpejtë të lumenjve natyrorë. Në 2012 Shqipëria ishte vendi me përqindjen më të lartë të lumenjve në rajonin e Ballkanit. Kjo është një humbje e madhe për ekosistemet, biodiversitetin, natyrën, afekton dhe sektorin e bujqësisë, ekonominë lokale.
Kjo lloj humbje ka për të pasur pasoja. Shumë ekspertë jo vetëm në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarë, thonë që një digë në lumë e shton efektin e përmbytjes dhe forcën e përmbytjes. E gjithë kjo ndërhyrje pritet të ketë efektin e vet në këto lloj fenomenesh. Vendosja e digës bllokon sedimentet dhe ndryshon gjithë fizionomia e lumit. Jemi në dekadën e parë, por në dy tre dekada më vonë do të ketë efekt të menjëhershëm. Erozioni bregdetar do avancojë edhe më shumë”.



