Rudina Çupi nga shtëpia botuese “Pupëz” duke folur në “Mcn Informacion” tha që libraritë në Shqipëri janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa bibliotekat e lagjes janë muze të një kohe të kaluar. Megjithatë sipas Çupit njerëzit kanë filluar të zgjohen sadopak dhe sivjet i janë rikthyer librit.
“Kush nga ne s’është ndjerë si Don Kishoti që lufton me mullinjtë e erës?! Mendoj që kishte një lloj zhvlerësimi për të gjithë ata që vinin dhe vetëm hanin, hidhnin mbeturina, dhe prishnin libra me një Coca-Cola apo diçka tjetër. Mendoj që nga të gjithë llojet e artit libri ka mundësinë të ndikojë te sa më shumë veta. Mendoj që njerëzit kanë filluar të zgjohen sadopak dhe i janë rikthyer librit sivjet, unë të paktën këtë përshtypje kam. Ne që i përkasim botës së librit me idealizmin tonë bëjmë përpjekje individuale, por është e pamjaftueshme, qoftë përpjekja jonë, qoftë përpjekja individuale e prindërve.
Në bibliotekat e lagjeve hap një libër dhe të ngelet libri në dorë, sepse janë të shekullit të kaluar, s’janë përditësuar me tituj të rinj, kemi ngelur te Tom Sojeri. Janë thjesht muze të kohës së kaluar. Pa një sistem....Qershia mbi tortë që na prish gjithë entuziazmin është fakti që libraritë tona janë në gjendje të mjerueshme. Kemi një Adrion që 80 për qind të titujve në gjuhë të huaj dhe te 20 për qindshi futemi të gjithë ne”.



