Pas 11 ditësh bllokim është hapur një rrugë provizore në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, e cila është hapur ngjitur me rrugën ekzistuese, në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”, duke zhbllokuar lëvizjen drejt Juglindjes.
Gazetarja Entela Duka raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV, se rruga do të jetë e hapur për të gjitha llojet e mjeteve, ndërkohë që pritet nisja e punës për ndërtimin e segmentit alternativ 1.3 kilometër.
Lëvizja e mjeteve nisi rreth orës 12:00, pas testimit përfundimtar të rrugës nga autoritetet dhe në momentet e para pati ngarkesë të madhe të mjeteve, aq sa u desh ndërhyrja e policisë për orientimin e trafikut. Rruga është kaluar nga mjete private, autobusë, trajlera dhe kamionë të ndryshëm.
Sipas institucioneve përgjegjëse, segmenti i ri, i ndërtuar ngjitur me gjurmën ekzistuese, ofron siguri pas stabilizimit të zonës dhe devijimit të rrjedhës së lumit Shkumbin.



