Një mjet lundrues ka hasur vështirësi teksa ka qenë në det, pranë Kepit të Rodonit, pasi kishte pësuar avari. Në orën 22:15 datë 10 korrik anijes së Rojës Bregdetare P-04 “SEMANI” ju dha situatë SOS për një mjet që kishte pësuar avari. Pas marrjes së informacionit nga Qendra e Kërkim-Shpëtimit anija P-04 u nis për dhënie ndihmë të një mjeti tip skaf, me emër “ALMENA” e cila ndodhej rreth 100 yard pranë “Kepit të Rodonit”, mjeti arriti të shpëtohet dhe të rimorkohet nga anija e Rojës Bregdetare. Skafi me flamur shqiptar u shoqërua për në Portin e Durrësit. Operacioni SAR u krye me sukses dhe personat e shpëtuar ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Numri Blu i emergjencës i QNOD-së në shërbim 24 orë është Nr.125. Njoftimi i policisë Mbetën në det, gjatë orëve të natës, pasi skafi me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, pësoi defekt, shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë 13 shtetasve (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), 6 prej të cilëve shtetas të mitur. Operacioni i shpëtimit zgjati deri në mesnatë dhe përfshiu evakuimin e 13 shtetasve dhe rimorkimin e mjetit lundrues skaf. Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin janë njoftuar se 13 shtetas, mes tyre dhe të mitur, kishin mbetur në det, në afërsi të kepit të Rodonit, pasi mjeti skaf me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin dhe roja bregdetare janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar. Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 12 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar defektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit. Policia e Durrësit fton qytetarët, turistët dhe pushuesit që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, për çdo rast nevoje.



