
Muzika e lartë gjatë sezonit veror në Sarandë ishte një nga shqetësimet e ngritura nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në takimin e zhvilluar me operatorët turistik të kësaj zone bregdetare.
Klosi tha se duhet të merren masa me qëllim respektimin e fashave të orareve të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve.
“Saranda e ka formuar një profil të sajën që s’mund të jetë profili i një diskoteke të hapur, duhet të jetë profili i një qyteti mikpritës, miqësor, familjar, turizëm i plotë, turizëm 12 muajt e vitit, një turizëm që nuk pranon vetëm muzikë. Këshilli Bashkiak duhet të marrë vendimin për fashat dhe zonat se ku nuk lejohet muzika dhe të gjithë bizneset ta kenë të qartë fashën orare, kufizimin e muzikës edhe brenda mos grumbullimit, mos krijimit të aktiviteteve, por muzika e lartë nuk duhet të ndodhë këtë vit.
Ministri i Turizmit tha se kush nuk ruan sigurinë e pushuesve, do të përballet me një hetim penal.
“Çdo humbje jete në plazh shënon hapjen e një hetimi penal për poseduesin e plazhit provat apo pronarin e hotelit, në rast të mungesës së rojës së plazhit”,-tha Klosi.
Sa i takon çështjes së mbetjeve, ministri Klosi shprehu vlerësime për punën e bërë nga autoritetet vendore.
Ministri kërkoi bashkëpunimin e të gjithë operatorëve turistik me qëllim që brenda vitit 2025 Shqipëria të arrijë 10 milion turistë të huaj dhe të dominojë në Ballkan.



