Kreu i Urdhrit të Stomatologut Bashkim Murati reagon publikisht lidhur me situatën që, sipas tij, po përjetojnë stomatologët në vend, duke akuzuar një grup personash se po ushtrojnë presion dhe po vendosin gjoba të padrejta ndaj profesionistëve të fushës.
Në një deklaratë të gjatë drejtuar komunitetit të stomatologëve, ai u bëri thirrje kolegëve të mos paguajnë asnjë detyrim që e konsiderojnë të paligjshëm dhe të denoncojnë çdo rast presioni.
“Mos paguani asnjë qindarkë të djersës suaj”, shprehet Murati në deklaratën e tij, duke pretenduar se veprimet e grupit që ai kritikon nuk mbështeten në ligj dhe nuk kanë legjitimitet.
Sipas Muratit, çdo dokument apo gjobë e vendosur nga ky grup është i pavlefshëm, ndërsa ai pretendon se shkeljet e konstatuara janë dokumentuar dhe do të jenë pjesë e procedurave ligjore.
Ai paralajmëron se është duke u përgatitur edhe një kallëzim i ri penal, për të cilin shprehet i bindur se do të ndiqet nga organet e drejtësisë.
Në deklaratë, u kërkohet stomatologëve të mos bien pre e presioneve dhe të raportojnë çdo rast që, sipas tyre, përbën shantazh apo kërcënim. Ai fton çdo profesionist që pretendon se është përballur me situata të tilla të paraqesë dokumentacionin përkatës, me qëllim që ai të përfshihet në dosjen që, sipas tij, do t'i dorëzohet Prokurorisë.
“Denonconi çdo presion dhe çdo rast shantazhi”, thekson Murati, duke shtuar se çdo provë e mbledhur do të përdoret në procedurat ligjore që ai thotë se janë në përgatitje.
Në fund të reagimit të tij, Murati shpreh bindjen se situata do të marrë zgjidhje përmes institucioneve të drejtësisë dhe u bën thirrje stomatologëve të qëndrojnë të bashkuar.
“Koha e frikës ka mbaruar”, deklaron ai, ndërsa shton se, sipas tij, strukturat legjitime të Urdhrit të Stomatologut do të rifillojnë funksionimin në përputhje me ligjin.
Prej një viti, Urdhri i Stomatologut rezulton me dy presidentë dhe dy vula, çka ka shkaktuar kaos në mbarëvajtjen e punës, ndërkohë që ka edhe akuza për licencime të jashtëligjshme.



