
Temperaturat e larta përkojnë me rritjen e shkallës së vetëvrasjeve, është konkluzioni i një studimi të ri të kryer nga Instituti Kombëtar Francez për Kërkimet Shëndetësore dhe Mjekësore. Studimi në fjalë është i disati i kryer në BE mbi këtë temë dhe që del në të njëjtin përfundim.
Instituti analizoi shkakun e vdekjeve të regjistruara midis viteve 1968 dhe 2016, nga të cilat 502 000 nga 24.4 milionë ishin vetëvrasje.
“Temperatura është e lidhur me vdekshmërinë: vdekshmëria rritet në afat të shkurtër si në temperaturat më të ngrohta, ashtu edhe në ato më të ftohta. Përjashtimi i vetëm është se vdekshmëria nga vetëvrasjet rritet në mënyrë të qëndrueshme me rritjen e temperaturës, por asnjëherë me uljen e temperaturës”, zbuloi studimi.
Me fjalë të tjera, ndërsa numri i vdekjeve në përgjithësi rritet kur temperaturat rriten dhe më pas bien nën 20, vetëvrasja është e vetmja që vazhdon të rritet ndërsa temperaturat ngrihen.
Rémy Slama, i cili drejtoi studimin, i tha EURACTIV në një intervistë se "nuk ka më vetëvrasje kur temperaturat janë veçanërisht të ftohta".
“Është e sigurt se një pjesë e vetëvrasjeve i atribuohen temperaturave të larta, edhe pse nuk mund të themi se sa”, shtoi Slama.
Gjetja konfirmon një artikull të botuar më 14 korrik në faqen e internetit të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili thotë se ekziston "një lidhje midis temperaturës së lartë ditore, vetëvrasjes dhe përpjekjeve për vetëvrasje".
“Për çdo rritje prej 1°C në temperaturën mesatare mujore, vdekjet e lidhura me shëndetin mendor rriten me 2,2%,” thuhet në artikull.
Sipas studiuesve të studimit francez, kjo shifër është edhe më e lartë. “Kur temperatura rritet me 1°C, numri i vdekjeve nga vetëvrasja do të rritet me rreth 6%,” thotë Slama.



