
Emisioni "Xhadat" në MCN TV ka vijuar investigimin mbi procedurat e ndjekura për fitimin e gradave dhe titujve akademikë nga rektorja e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, Elvira Fetahu.
Pas publikimit të pjesës së parë dhe të dytë të investigimit, ku u ngritën dyshime mbi përputhshmërinë ligjore të gradave shkencore të fituara nga Fetahu dhe u dokumentuan përpjekjet e vazhdueshme të gazetarit për të marrë një reagim të drejtpërdrejtë nga rektorja, emisioni ka zgjeruar verifikimet në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe te ekspertë të fushës.
Gjatë ditëve të ndjekjes së çështjes, rektorja nuk pranoi të dalë në një intervistë përballë kamerës së MCN TV, ndërsa gazetarit iu pengua hyrja në institucion për të kërkuar një qëndrim zyrtar mbi pretendimet e ngritura.
Në emision intervistohet edhe eksperti i arsimit, Taulant Muka, i cili e konsideron çështjen e respektimit të kritereve akademike si një problem më të gjerë në arsimin e lartë shqiptar. Muka kujton se raste të ngjashme kanë ngritur më herët debate edhe në universitete të tjera publike, duke vënë në diskutim mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit të titujve akademikë.
Një pjesë e rëndësishme e investigimit fokusohet te përgjigjet e marra nga Universiteti "Aleksandër Moisiu" i Durrësit. Për dokumentacionin dhe argumentet e paraqitura nga universiteti është kërkuar edhe një vlerësim juridik nga avokati Erald Aga.
Sipas analizës së tij, procedurat për fitimin e gradave akademike mund të kenë përfituar nga boshllëqe apo vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore që shoqëronin ligjin e arsimit të lartë. Aga argumenton se afatet kohore dhe hyrja në fuqi e vendimeve përkatëse krijojnë nevojën për një verifikim më të detajuar të mënyrës se si janë zbatuar kriteret në praktikë.
Avokati ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mungesën e transparencës për dokumentacionin mbështetës të gradave akademike, duke argumentuar se referencat shkencore, publikimet dhe aktivitetet akademike që përdoren për fitimin e titujve duhet të jenë të verifikueshme dhe të aksesueshme për publikun.
Në vijim të investigimit, MCN TV iu drejtua edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, institucioni që i ka dhënë Fetahut titullin akademik "Profesor" në vitin 2024.
Në përgjigjen zyrtare, Universiteti Bujqësor argumenton se procedura është mbështetur në dokumentacionin e përcjellë nga Universiteti "Aleksandër Xhuvani" dhe se organet kompetente kanë vlerësuar se kandidatja plotësonte kriteret e kërkuara nga ligji.
Megjithatë, përgjigjja nuk jep detaje konkrete mbi dokumentet e verifikuara, kriteret specifike të aplikuara dhe bazën ligjore mbi të cilën është arritur në përfundimin se kushtet për fitimin e titullit "Profesor" ishin përmbushur.
Një tjetër institucion që ende nuk ka kthyer përgjigje është Ministria e Arsimit dhe Sportit. Sipas dokumentacionit të siguruar nga emisioni "Xhadat", kërkesa për informacion është depozituar më 6 maj 2026, por deri në momentin e transmetimit të emisionit nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare mbi shqetësimet e ngritura.
Në qendër të investigimit mbetet një pyetje themelore: Mbi cilat dokumente, prova dhe dispozita konkrete ligjore u mbështetën institucionet për të çertifikuar se kriteret për fitimin e gradave dhe titujve akademikë të Elvira Fetahut ishin përmbushur plotësisht?



