
Ish-mbreti i Spanjës Juan Carlos që nga data tre gusht qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, deklaroi të hënën familja mbretërore spanjolle.
Juan Carlos në deklaratën e publikuar me 3 gusht theksoi se ai do të largohet nga vendi, por nuk e theksoi destinacionin e fundit.
Qeveria spanjolle dhe zyrtarët e Pallatit Mbretëror kanë qenë të ngathët në dhënien e informacioneve në lidhje me vendodhjen e Juan Carlos që nga tre gushti, kur ai i dërgoi një letër djalit të tij, Mbretit Felipe VI, që i tregonte se po lëvizte jashtë Spanjës për shkak të pasojave publike të disa episodeve të jetës së tij private në të kaluarën.
Vendimi i 82-vjeçarit për t’u larguar nga Spanja dhe për të jetuar në një vend tjetër erdhi si pasojë e akuzave për përfshirjen e tij në disa afera korruptive.
Gazeta spanjolle konservatore “ABC” publikoi një foto të Juan Carlos duke dalë nga një aeroplan në një aeroport të Abu Dhabi, por pa dhënë ndonjë konfirmim zyrtar, ndërsa mediat spanjolle aludonin se ai mund të ishte vendosur në Republikën Dominikane, Portugali, Zvicër apo në Zelandën e Re.
Mirëpo, të hënën, familja mbretërore vendosi t’i japë fund spekulimeve, duke deklaruar se Juan Carlos kishte udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe që me datë 3 gusht.
Familja mbretërore nuk deklaroi nëse Juan Carlos do të qëndronte gjithmonë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nga ana tjetër autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk u janë përgjigjur pyetjeve në lidhje me qëndrimin e Juan Carlos atje.
Juan Carlos konsiderohej për dekada një mbret model.
Bashkatdhetarët e tij e donin, sepse ai e kishte mbrojtur fuqishëm demokracinë e re spanjolle pas një përpjekje për grusht shteti në 1981.
Por në dhjetë vitet e fundit, ai është përmendur më tepër për skandale.
Për shembull, për gjuetinë e kafshëve të egra në Botsvana, për marrëdhënie jashtëmartesore dhe nepotizëm në rastin e një skandali për mashtrime ku ishte i përfshirë edhe dhëndri i tij Inaki Urdangarin, i cili është dënuar me disa vjet heqje lirie.
Në mars të këtij viti mbreti Felipe VI i ndërpreu përfundimisht marrëdhëniet me të atin, pasi gazeta britanike Telegraf kishte zbuluar se emri i Felipes dilte pa dijeninë e tij si përfitues i një fondacioni të dyshimtë të hapur në një nga parajsat fiskale.
Thuhet se një pjesë e shumës së parave nga Arabia Saudite janë depozituar në këtë fondacion.



