Në qendër të kontrolleve të kryera të dielën nga Autoriteti Kombëtar I Ushqimit këtë herë ka qenë siguria e vajit të ullirit. Gjatë kontrolleve nëpër supermarkete dhe markete, trupa inspektuese e sigurisë ushqimore ka konstatuar se katër subjekte furnizonin dyqanet me vaj ulliri të falsifikuar, tre prej tyre në Tiranë dhe tjetri në Vlorë.
“Gjatë ekzaminimeve përkatëse, u konstatua se produkti me emërtim “vaj i ullirit” i tregtuar nga këto subjekte rezultoi se nuk përputhet me karakteristikat e vajit të ullirit siç është emërtuar në etiketë, pra në secilin rast produkti ka qenë i manipuluar duke shtuar edhe përbërës të tjerë”-thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Për shkak të mungesës së gjurmshmërisë dhe tregtimit të produktit të falsifikuar nga subjekteve që shërbenin si furnizuese është vendosur gjobë me 400 mijë lekë, si dhe bllokimi i sasisë së vajit, me qëllim kryerjen e analizave të tjera. Pas këtyre shkeljeve AKU raporton se është bërë kallzim penal për këto biznese për mashtrim dhe prodhim të kundraligjshëm të produkteve ushqimore. Ndërkohë që, kontrollet vijojnë për të identifikuar bizneset e tjera që kanë marrë produktin e vajit të ullirit të falsifikuar nga subjektet e lartpërmendur, si dhe për të bërë të ndaluar tregtimin e tij për konsumatorët.



