
Feride Rushiti, një nga emrat më të njohur në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) janë nominuar zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqe 2025.
Nominimi është bërë nga Magnus Jacobsson, anëtar i parlamentit suedez, si një vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës dhe torturës në Kosovë.
Në letrën e tij drejtuar Komitetit të Çmimit Nobel, Jacobsson vlerëson përkushtimin e Feride Rushitit për trajtimin e pasojave të dhunës seksuale dhe torturës gjatë dhe pas Luftës së Kosovës (1998-1999).
Jacobsson e përshkruan nominimin e Rushitit dhe KRCT-së si një shembull frymëzues të guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit për promovimin e paqes dhe drejtësisë në një botë të ndarë nga konfliktet.
Ai thekson se puna e tyre përfaqëson thelbin e qëllimit të Çmimit Nobel për Paqe, krijimin e një të ardhmeje më humane dhe të drejtë.
Dr. Rushiti ka themeluar KRCT-në, organizatën e parë të këtij lloji në Kosovë, e cila ofron ndihmë mjekësore, psikologjike dhe juridike për mijëra të mbijetuar të luftës, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të drejtat e tyre të respektohen.
Një nga arritjet më të mëdha të Dr. Rushitit është avokimi i saj i suksesshëm për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale si viktima civile të luftës, që çoi në një kornizë ligjore të veçantë dhe reparacione financiare për të prekurit, një fitore historike e arritur në vitin 2017. Ky ndryshim i rëndësishëm në Kosovë ka frymëzuar përpjekje globale për drejtësi dhe pajtim pas konflikteve.
Puna e saj për përmirësimin e standardeve etike dhe ligjore për trajtimin e të burgosurve dhe për forcimin e të drejtave të njeriut ka sjellë një ndikim të thellë kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në vitin 2018, Dr. Rushiti u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së për ndikimin e saj transformues në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin udhëheqës që ka luajtur në advokimin për të drejtat e njeriut.
Sipas statutit të Fondacionit të Nobelit, nominimin për Çmimin për Paqe mund ta bëjnë anëtarë të parlamenteve dhe qeverive kombëtare të shteteve sovrane dhe presidentët, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.



