Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se ekzistojnë dyshimet që varianti Delta është duke qarkulluar në Shqipëri, por sipas saj janë ende në pritje të rezultateve të laboratorëve të referencës.
Nga njësia e lëvizshme e vaksinimit në Ndroq, Manastirliu tha se ka nevojë që të rritet ndërgjegjësimi për qarkullimin e këtij varianti, ndërkohë që i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Javët e hapur do vijojnë, me rritjen e numrit të vaksinave, vaksinimi për cdo grupmoshë të vashdojë, shohim që ka funksionuar, është rritur mbulimi me vaksina për të gjitha grupmoshat e shihet intres në rritje dhe për grupmposhën e re, plus 18. Kemi rritje të lehtë të rasteve pozitive, kemi dyshime të arsyeshme që në Shqipëri qarkullon varianti Delta por jemi ende në pritje të rezultateve të laboratorëve të referencave për ta vërtetuar. Nisur nga ajo që po ndodh në vendet e rajonit dhe evropiane dihet që ka qarkullim të këtij varianti e ka nevojë për të rritur ndërgjegjësimin.
Ndërsa Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino u shpreh se në ditët e fundit ka një rritje të moshave të reja të prekura me Covid, prandaj i bëri thirrje edhe njëherë kësaj kategorie që të vaksinohet për të shmangur rrezikun.
“Ajo çka shohim ne, me vërtetë nuk kemi raste në spitale tani, rastet e shtruara janë të pavaksinuara, por shikojmë një rritje të grupmoshave të reja, pra grupmoshat që predominojnë janë nga 15-24, nga 25-34 dhe 35-44 dhe mbi 70-vjeç kemi pasur raste. Është e rëndësishme që grupmoshat e reja të vaksinohen, por edhe qendrat të mos lënë asnjë pa vaksinuar edhe në shtëpi edhe në komunitet, pasi ka shumë të pamundur që nuk dalin dot nga shtëpia.



