Bllokimi i kanaleve kulluese si dhe ndërtimet pa kriter mbi këto vepra dhe territor janë ndër shkaktarët kryesorë të përmbytjeve në vend. Është ky konstatimi i KLSH në një raport të publikuar pak kohë më parë.
Shqipëria, përfshirë edhe Tiranën, vijon të mbetet e ekspozuar ndaj përmbytjeve, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur reshjet arrijnë nivelet më të larta. Sipas Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rreth 70% e reshjeve vjetore bien në periudhën Tetor-Mars, ndërsa muaji nëntor shënon nivelin maksimal të shirave, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në zonat urbane dhe fushore.
Sasia mesatare e reshjeve vjetore në Shqipëri është rreth 1,485 mm/vit, me variacione nga rreth 1,000 mm/vit në zonat e ulëta, ku bën pjesë edhe Tirana, deri në 3,000 mm/vit në zonat malore. Këto reshje intensive, të kombinuara me urbanizimin e shpejtë, e bëjnë kryeqytetin dhe rrethinat e tij veçanërisht të ndjeshme ndaj grumbullimit të ujërave.
Raporti i KLSH thekson se largimi i ujërave të përmbytjes është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të mbushjes së kanaleve kulluese dhe uljes së kapacitetit largues të hidrovorëve, transmeton emisioni “FactCheck” në MCN TV. Në shumë zona, infrastruktura ekzistuese nuk arrin të përballojë flukset e ujit gjatë reshjeve intensive, duke shkaktuar përmbytje të përsëritura.
Një tjetër faktor shqetësues mbetet ndikimi i ndërtimeve pa leje. Sipas vlerësimeve zyrtare, janë rreth 3285 ndërtime pa leje të vendosura në infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe të mbrojtjes nga përmbytjet. Këto ndërhyrje dëmtojnë drejtpërdrejt funksionimin e veprave mbrojtëse dhe pengojnë qarkullimin normal të ujërave, duke rritur rrezikun për përmbytje, veçanërisht në zonat e urbanizuara.
Aktualisht, rreth 130.000 hektarë në Shqipëri janë të pajisur me infrastrukturë mbrojtëse nga përmbytjet e lumenjve dhe detit, por KLSH vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre veprave janë jashtë funksionit ose vetëm gjysmë funksionale. Urbanizimi i pakontrolluar dhe degradimi natyror i veprave mbrojtëse kanë ndikuar negativisht në efiçiencën e tyre, në një kohë kur përmbytjet po bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra.
Raporti nënvizon gjithashtu se përmbytjet në dimër dhe thatësirat në verë janë bërë më të pranishme gjatë dy dekadave të fundit, një prirje që pritet të përkeqësohet si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe shtimit të fenomeneve ekstreme të motit.



