Nga Besmir Pula
R. Tanushi vetëm 12 vjeç nga Kamza humbi kontaktet me familjarët në Korrik të vitit 2021 dhe u gjet në Sarandë disa ditë më pas, pas apelit në media nga babai i tij G. Tanushi. Bashkë më të miturin u gjet edhe 50 vjeçarja me inicale B.M, e cila e shfrytëzonte për të lypur në rrugët e Sarandës, ndërsa policia e vuri në pranga.
Ky është një nga rastet ku të miturit trafikohen me qëllim për të lypur, para të cilat përfitohen nga tutorët, që në rastin konkret nuk kanë lidhje familjare më të miturin.
MCN kontaktoi me babanë e fëmijës, një vit e gjysmë pas ngjarjes. Gjatë intervistës, G.Tanushi na shprehet se gjendja e djalit është pak më e normalizuar dhe është munduar me aq mundësi sa ka pasur të kryejë edhe vizita me psikologun. Por sipas tij, djali ka më shumë nevojë për këto vizita, duke shtuar se i ka munguar mbështetja e pushtetit vendor, më konkretisht e Bashkisë Kamëz. I pyetur nëse bashkia i ka ofruar seanca me psikologun, ai na përgjigjet se askush nuk e ka ndihmuar. Për të janë të kushtueshme seancat që duhet të kryejë 3 mijë lekë vetëm një takim me psikologun.
“Jam munduar ta trajtoj me psikolog se jam kryefamiljar punoj në ndërtim. Vetëm një seancë psikologu këtu në Tiranë është 30 mijë lekë, kam 3 fëmijë, po ka dasht më shumë me e trajtuar. Ato të bashkisë veç erdhën në fillim për t’u tallë “si ndodhi, ça ndodhi”, u thashë “a keni ardh me më ndihmu apo me u tallë”, të dhënat dhe pyetjet i kam mbaruar te policia e Sarandës. Edhe tani kam qenë në Sarandë 200 mijë lekë borxh kam marrë për të ndjek gjyqet. Para ca ditësh isha në gjyq bashkë me psikolog, ajo zonja është brenda vijon të jetë në burg”.
Kryesisht fëmijët që trafikohen janë nga zonat periferike dhe vijnë nga familje me të ardhura ekonomike të pakta, siç është edhe ky rast. Familja e 12-vjeçarit është zhvendosur disa vite më parë nga Veriu i Shqipërisë, në zonën e Bathores në Kamëz. E vetmja mundësi për të mbledhur të ardhura ekonomike është babai që punon në ndërtim, pasi i duhet të përkujdeset për të 3 fëmijët.
MCN bisedoi edhe me sociologun Gëzim Tushi lidhur me fenomenin. Sipas tij, gjatë sezoneve turistike rritet kjo problematikë e ndërsa target i fëmijëve që detyrohen të lypin janë fëmijët që kanë prindër të divorcuar.
“Fenomeni i abuzimit me fëmijët e pashoqëruar nga prindërit për qëllime shfrytëzimi apo për pune te këqija është një nga fenomenet që ekziston vazhdimisht, por në sezonet turistike lëvizjet e tyre bëhen më kaotike dhe rreziku i abuzimit bëhet akoma më i dukshëm. Mungesa e përgjegjësisë prindërore dhe sidomos fëmijët me familje të destruktuara nga divorci, bëhen pre e këtyre shfrytëzuesve të pamëshirshëm”, shprehet Tushi.
Sociologu Tushi i cili e njeh problematikën mirë, sugjeron ekipe mobile me psikolog për të mbrojtur fëmijët. Ai thekson rolin që duhet të luajë pushteti vendor, që sipas tij duhet të krijojë rrjet me të dhëna të atyre fëmijëve që nuk kujdesen prindërit për të qenë në vëmendje.
“Po është e nevojshme krijimi ekipeve mobil më psikolog për të parandaluar dhe mbrojtur fëmijët peripatetike nga shumë njerëz perverse e te pamëshirshëm. Pushteti vendor duhet të angazhojë strukturën permanente për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe trafikimi. Duhet njohur situata komunitare dhe duhet bërë një data bazë me emra të familjeve dhe fëmijëve që janë jashtë kujdesit prindëror”, përfundon argumentin sociologu Tushi.
Etleva Binjaku, psikologe, e pyetur në lidhje me këtë çështje tregon se largimi i fëmijëve nga vendet e lindjes, shton rrezikun për rritjen e fenomenit, ndërsa thekson rëndësinë e shërbimit psikologjik.
“Shumë prej tyre janë larguar edhe nga qytetet apo fshatrat ku kanë lindur duke krijuar edhe një distancë me familjet dhe me mjediset ku kanë kaluar vitet e para të fëmijërisë, të cilat janë mjaft të rëndësishme për zhvillimin e tyre. Shërbimi psikologjik nuk duhet të mungojë: fëmijë janë të rritur larg ngrohtësisë familjare, janë mbajtur larg mjediseve të shkollës, kanë humbur lidhjet me moshatarët, mund të kenë qenë pre e abuzimeve të ndryshme, mund të kenë qenë dëshmitarë të situatave të ndryshme traumatike, dhe për këto nevoja për shërbime psikologjike është legjitime”, shton psikologia Binjaku.
Por sa po i realizon pushteti vendor detyrat?
“Në organikën e pushtetit vendor duhet të shtohet prania e punonjësve socialë dhe e psikologëve, e këshilluesve dhe e terapistëve. Shërbimet që gëzojmë aktualisht janë të pamjaftueshme dhe nëse ofrojnë shërbime psiko-sociale ato janë të kufizuara dhe të pandjeshme në komunitet”, shprehet Binjaku.
Edhe Arjana Rreli, mjeke psikiatre, tregon gjithashtu se trauma që i shkaktohet fëmijës në këtë rast është tejet delikate. Ajo kërkon një trajtim profesional me ekspertët e shëndetit mendor dhe vëzhgim të vazhdueshëm nga prindërit dhe familjarët e tjerë, për të evidentuar nëse i mituri shfaq ndonjë ndryshim në sjelljen e tij, me qëllim trajtimin në kohë, pasi pasojat varësisht situatës që ka kaluar mund të jenë të parikuperueshme në disa raste.
Për të qenë transparentë, iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë Kamëz si institucion përgjegjës. Asaj i drejtuam disa pyetje që lidhen kryesisht me çfarë ndihme i kanë ofruar të miturit, dhe a i kanë mundësuar seanca me psikologun por ende jemi pa një përgjigje.
Të dhënat e INSTAT, të vitit 2021 tregojnë se në vitin 2021, më të cenuarit ndaj trafikimit janë fëmijët, ku janë regjistruar 109 viktima të mundshme të trafikimit, 3 të trafikuar dhe 67 kërkojnë azil në vendet në vendet e bashkimit Europian. Këto janë të dhëna zyrtare të publikuara, por shifrat janë shumë më të larta, pasi në shumë raste këto situata mbeten të izoluara, mbahen të fshehura nga familjarët dhe nuk denoncohen, gjë e cila kufizon edhe shifrat reale të të trafikuarve.
Një studim i UNICEF tregon lidhjen midis të trafikuarit dhe trafikantit. Katërmbëdhjetë të mbijetuarit ose 47%, janë trafikuar nga partneri intim që ka qenë, i dashur, i fejuar apo bashkëshort. Tetë prej tyre, ose 27% kanë raportuar se trafikantët ishin miqtë e tyre. Katër persona ose 10% e personave të trafikuar identifikuan si trafikant një nga anëtarët e familjes. Pra në 84% të rasteve, sipas studimit të UNICEF, ishin persona të afërt me viktimën, ndërsa në disa raste të tjera shumë më të pakta trafikantët e tjerë në dy raste ishte punëdhënësi, në një rast tjetër pronari dhe një tjetër rast partneri intim i motrës.



