
Reshjet e shiut kanë vijuar pothuaj në të gjithë territorin e vendit gjatë natës dhe vijojnë edhe në këto momente, por situata paraqitet normale në pjesën më të madhe të qarqeve.
Ekipet e emergjencave, koordinuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, punonjës të drejtorive vendore të rrugëve, zjarrfikëses dhe policisë kanë punuar në terren për të garantuar qarkullimin pa vështirësi të qytetarëve dhe automjeteve.
Informacioni jepet nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili thotë se në Tiranë situata është përmirësuar, krahasuar me një ditë më parë.
Po punohet në segmentin rrugor Bënçë-Lekdush, në vendin e quajtur “Uji i Varur”, bashkia Tepelenë, në aksin rrugor Picar- Golem, për zhbllokimin e rrugëve nga inertet.
Një grup prej 23 turistësh të huaj u evakuuan pa probleme, pasi u bllokuan në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.
Në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë po punohet për pastrimin e rrugëve.
Ndërsa ekipet e OSHEEE po mundësojnë rilidhjen e energjisë në disa zona të thella të Gjirokastrës, Vlorës, Beratit, Fierit, Korçës, Dibrës e Elbasanit.



