Denoncimi te “Xhadat” për Bashkinë Tiranë: Më bënë trotuar mbi pronën time, më thonë të pres VKM-në për shpronësimin

Denoncimi te “Xhadat” për Bashkinë Tiranë: Më bënë trotuar mbi pronën time, më thonë të pres VKM-në për shpronësimin

Një qytetar nga Tirana ka denoncuar në emisionin “Xhadat”, MCN TV se Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në pronën e tij private për ndërtimin e një trotuari, pa përfunduar më parë procedurat e shpronësimit.

 

Kadri Demneri, banor i rrugës “Mihal Grameno”, thotë se familja e tij ka qenë pronare e një sipërfaqeje prej rreth 500 metrash katrorë. 

 

Sipas tij, pas proceseve të njohjes së pronës në vitet pas ndryshimit të sistemit, një pjesë e tokës iu njoh me certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër mbeti për kompensim financiar.

 

Kam marrë certifikatën e pronësisë dhe për rreth 250 metra tokë jam pronar me dokumente të rregullta. Por tani bashkia ka ndërhyrë në pronën time për ndërtimin e trotuarit pa më shpronësuar dhe pa më dëmshpërblyer”, shprehet ai.

 

Sipas Demnerit, punimet janë kryer nga shoqëritë “Arena MK” shpk dhe “KMK” shpk, të kontraktuara për projektin. Ai pretendon se përfaqësuesit e firmave kanë hyrë në pronën e tij pa e njoftuar paraprakisht dhe pa i paraqitur dokumentacionin përkatës.

 

Gjatë verifikimit në terren, gazetari i emisionit Ersid Karaj, së bashku me denoncuesin matën sipërfaqen e zënë nga trotuari. Sipas matjeve të kryera, segmenti i ndërtuar në pronën private rezulton rreth 7.5 metra i gjatë dhe 1.8 metra i gjerë.

 

Qytetari kërkon dëmshpërblim për sipërfaqen e zënë nga projekti publik, si edhe një sqarim zyrtar për mënyrën se si është ndërhyrë në pronën e tij.

 

Pretendimet e familjes shoqërohen edhe me pamje filmike të regjistruara nga bashkëshortja e zotit Demneri në momentin kur po kryheshin punimet. 

 

Në video, ajo shprehet se punonjësit kanë hyrë në pronë pa paralajmërim dhe kanë nisur ndërhyrjet pa asnjë komunikim me familjen.

 

Ndërkohë, në përgjigjen e fundit zyrtare që qytetari ka marrë nga Bashkia e Tiranës, institucioni sqaron se çështja ka kaluar në disa drejtori, nga Drejtoria e Projektimit te Drejtoria e Shfrytëzimit dhe më pas te Drejtoria e Shpronësimeve Publike. 

 

Sipas bashkisë, procedura e kompensimit nuk mund të vijojë pa miratimin e një Vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM).Por për qytetarin mbetet një pyetje thelbësore: përse projekti është zbatuar dhe prona është përdorur për interes publik, ndërkohë që procedurat e shpronësimit nuk kanë përfunduar ende?

 

Për këtë arsye, emisioni “Xhadat” iu drejtua Bashkisë së Tiranës me një kërkesë për informacion, ku kërkon sqarime se përse qytetari duhet të presë daljen e VKM-së pasi prona është prekur tashmë nga projekti, si edhe kush mban përgjegjësi për ndërhyrjen në një pronë të pajisur me certifikatë pronësie. Përgjigja e bashkisë pritet në ditët në vijim.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy