
Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka sqaruar se çfarë ndodh në rast se një nxënës, mësues apo pjestar i stafit të shkollës rezulton pozitiv me koronavirus kur të hapet viti i ri shkollor, që nis me 14 shtator.
Në një komunikim me anë të një video konference në rrjetet sociale Shahini thotë se në këtë rast do të kryhet tamponi për të gjithë grupin, mbyllet klasa apo në ndonjë rast edhe shkolla. Për këtë arsye sipas saj po xhirohen edhe orët mësimore që do mund të transmetohen në ‘RTSH Shkollë’.
"Protokollet e sigurisë së shëndetit e përcaktojnë qartë se si do të veprohet në rast se një nxënës, një mësues, apo një grup nxënësish del që është infektuar me Covid-19. Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo e gjithë shkolla në rast se klasa ka patur komunikim apo kontakt me të tjerët dhe për një periudhë kohore të paracaktuar, që mund të jenë 2 apo 3 javë, grupi i nxënësve që do të jetë karantinuar do të vijojë mësimin në kushte shtëpie. Kjo është dhe arsyeja pse RTSH Shkolla do të punojë paralelisht me të gjithë procesin mësimor që do të zhvillohet në objektet shkollore,”- shprehet ajo.



